Mblidhet Komisioni Qeveritar: S’ka marrëveshje me Serbinë pa zbardhjen e fatit të personave të zhdukur

Prishtinë | 19 Tet 2020 | 15:15 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka mbajtur mbledhjen e radhës, raporton Ekonomia Online. Kryesuesi i komisionit qeveritar për persona të zhdukur, Ramë Manaj, ka kërkuar që të gjitha institucionet të merren intenzivisht me këtë çështje.

“Në punën e tejme të komisionit kërkojmë përkushtim të demonstrojmë këtë proces të ndjeshëm. Ende kemi 1638 persona të pagjetur”.

Ibrahim Makolli, kryetar i delegacionit të Kosovës për persona të zhdukur, tha se nuk do të ketë marrëveshje përfundimtare me Serbinë pa gjetjen e personave të zhdukur gjatë luftës.

“Nuk do të ketë marrëveshje me Serbinë pa gjetjen e personave të zhdukur. Do të përmendi tri shtyllat bazë të kësaj marrëveshje krijimi i një komisioni i udhëhequr nga BE-ja, qasja e pakufizuar në arkivat vendore e ndërkombëtare, parashihet që procesi të përfundoj brenda 18 muajsh”.

Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, tha se nga qershori deri në tetor kanë mbajtur dy takime me palën serbe, dhe se janë duke pritur që të kthehen në terren.

“Temë kyçe kanë qenë informatat mbi bazën që është punuar në varrezat në regjionin e Mitrovicës. Tri lokacione janë hapur dhe janë gjetur mbetje mortore katër persona”.

“Si rezultat i takimit me palën serbe ka qenë mundësi të shqyrtohen mundësitë e hartave. Në territorin e Serbisë është bërë edhe gërmim. Jemi në shqyrtim për të siguruar edhe harta që të kthehemi në këtë lokacion”.

Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, tha se janë në pritjet të rifillimit të gërmimeve në Kizhevak.

Përderisa shtoi se sfidë mbetet mosdhënia e gjakut nga familjarë që do të ndihmonte në identifikimin edhe të disa mbetjeve mortore që gjenden në morg, raporton EO

“Kemi një numër të familjeve që nuk japin gjakun. Kjo është një sfidë e ardhshme ta gjejmë një rrugë për të dhënë gjak”.

“Jemi në pritje për tu kthyer me gërmime në Kizhevak të Serbisë”.

Të ngjashme