Mblidhet kryesia e PS, nisin përgatitjet për zgjedhjet

Prishtinë | 17 Tet 2022 | 17:08 | Nga Ekonomia Online

Pasi i uroi mirmëngjes breshkave që mban në zyrën e tij në selinë rozë dhe videon e shpërndau vetë në rrjetet sociale dhe foli me siguri për fitoren e radhës së PS në lokalet e 2023, Edi Rama rakordoi me anëtarët e Kryesisë, axhendën për turin e ri në 61 bashkitë e vendit që do të nisë ditën e martë.

Përmeti dhe Gjirokastra do të jenë dy njësitë lokale nga ku do të nisë procesi paraelektoral, ku Rama pohon se do të flasë me qytetarët për shumë çështje që lidhen kryesisht me krizën ekonomike dhe masat e qeverisë për të zbutur efektet e inflacionit.

“Është një Inflacion lufte. Kostoja që i paguajmë aventurës së një diktatori si Vladimir Putin, por nga ana tjetër edhe pse nuk është qeveria që ka sjellë inflacionin, i takon qeverisë, i takon shumicës qeverisëse që të bëjë gjithçka për të lehtësuar sa të jetë e mundur peshën e kësaj lufte mbi kurrizin e ekonomisë së vendit dhe patjetër edhe mbi shpatullat e familjeve”.

Buxheti i 2023, sipas tij, është dyfishi i buxhetit të vitit kur morën pushtetin 10 vite më parë, çka për të është tregues si mirëmenaxhimit të të ardhurave publike, por dhe vëmendje për të mbështetur ata që preken më shumë prej krizës së çmimeve. E këtu e gjen me vend të përsërisë se energjia do të jetë një produkt për të cilin konsumatorët do të vazhdojnë të paguajnë njësoj, por qeveria do të vazhdojë të qëndroj me një sy nga qielli, duke u lutur për shumë reshje.

“Urojmë që të kemi edhe shiun e nevojshëm jemi shumë besimplotë që do ta kapërcejmë këtë dimër pa dhimbje të mëdha. Sigurisht do të jetë dimër i vështirë, por masat që kemi marrë dhe mbështetja masive që do vazhdojmë t’i japim të gjitha kategorive, besoj se do ta lehtësojnë dimrin në mënyrë te arsyeshme”.

Veç shiut, Edi Rama do të kishte dashur dhe një opozitë me solidare në këtë kohë krizë. Por përsërit se gjithsesi di më shumë seç thotë, për implikimin e eksponentëve të opozitës në çështjen e lobimit me paratë ruse.

“Sigurisht që do të ishte mirë të kishim një opozitë, e cila të rrinte mirë në këtë kontekst, por për fat të keq kemi një opozitë, e cila premton vetëm izolim nga bota dhe nga ana tjetër është e zhytur në thesin e rublave. Është praktikisht fatkeqësi mënyra sesi vepron në mënyrë të përditshme mbajnë erë dhe ajo çka dimë nuk është e gjitha ajo që duhet ditur”.

Të ngjashme