Mbreti Abdullah i Jordanisë ka paralajmëruar se grupi i Shtetit Islamik është duke u rigrupuar përsëri në Lindjen e Mesme. Ai u shpreh i shqetësuar për riformimin e këtij grupi në pjesën juglindore të Sirisë dhe në perëndim të Irakut.
“Ne duhet të merremi përsëri me emergjencën e ISIS-it”, tha mbreti, duke shtuar se ky është një shqetësim i madh. Sipas tij, shumë luftëtarë të huaj tashmë kanë shkuar në Libi.
Ai i bëri këto pretendime gjatë një interviste për “France 24”, ku foli edhe për tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, procesin e ngritë të paqes mes Izraelit dhe Palestinës dhe konfliktin në Siri.
“Mijëra luftëtarë janë larguar nga Idlibi i Sirisë përmes kufirit verior dhe kanë arritur në Libi. Kjo gjë duhet të adresohet këtë vit nga ne në rajon dhe miqtë evropianë”, tha ai.
Mbreti Abdullah shtoi se dërgimi i trupave turke në Libi vetëm sa do të krijojë më shumë paqartësi në vendin e goditur nga konflikti i brendshëm.
Ndryshe, në Jordani janë strehuar rreth 1.3 milion refugjatë sirianë, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.