Mbrojtja e Thaçit kërkon leje të apelojë vendimin e gjyqtarit paraprak mbi mocionin ndaj aktakuzës

Prishtinë | 22 Gus 2022 | 13:53 | Nga Ekonomia Online

Mbrojtja e ish-Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar leje që të apelojë vendimin e gjyqtarit paraprak mbi mocionin e mbrojtjes ndaj aktakuzës së re, ku pretendonin se akuzat e reja të konfirmuara janë me të meta.

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, e kishte miratuar pjesërisht mocionin e mbrojtjes së Thaçit.

Sipas shkresës së mbrojtjes, më 31 maj 2022, mbrojtja për Hashim Thaçin paraqiti një mocion në përputhje me Rregullat 90 (4) dhe 97 (1) (b) të Rregullores, duke pretenduar se akuzat e reja të konfirmuara nga gjyqtari i procedurës paraprake më 22 prill 2022 janë me të meta, për shkak të mungesës së specifikës dhe gabimeve të rëndësishme në deklarim.

“Mbrojtja kërkoi një urdhër që kërkonte nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (“ZPS”) të ndryshojë aktakuzën për të dhënë më shumë specifikë në lidhje me sjelljen që pretendon nga ana e z. Hashim Thaçi, nëse kjo nuk ndodh, do të urdhërohet ZPS të zvogëlojë, ngushtojë ose heqë akuzat”, thuhet në këtë shkresë.

Tutje, thuhet se në një vendim të 22 korrikut 2022, gjyqtari i procedurës paraprake pranoi pjesërisht mocionin e mbrojtjes dhe urdhëroi ZPS-në të paraqiste një version të korrigjuar të aktakuzës siç urdhërohet në paragrafët 49 (b), (c) dhe (d) të vendimit të kundërshtuar, deri më 30 shtator 2022. Kurse, thuhet se gjykatësi hodhi poshtë pjesën e mbetur të mocionit të mbrojtjes.

Sipas mbrojtjes, në përputhje me Rregullin 77 të Rregullores dhe Nenin 45 të Ligjit, mbrojtja aplikon për leje për ankesë ndaj vendimit të kundërshtuar për katër çështje të detajuara më poshtë:

“Çështja 1: Nëse gjykatësi i procedurës paraprake gaboi në konstatimin se deklarimi i identitetit të anëtarëve të ndërmarrjes së përbashkët kriminale që kryen drejtpërdrejt krimet që bazoheshin në akuzat në paragrafët 68, 93 dhe 174 të aktakuzës ishte mjaftueshëm i detajuar (dhe si rrjedhim jo i mangët), duke pasur parasysh detyrimin e prokurorisë për të pohuar faktet materiale mbi secilën prej akuzave”, thuhet në shkresë të mbrojtjes.

Çështja 2 është përshkruar si tutje: Nëse gjykatësi i procedurës paraprake gaboi në konstatimin se identiteti i viktimave të krimeve të akuzuara në paragrafin 93 të aktakuzës (pavarësisht nga amendamenti i urdhëruar në paragrafin 37 të vendimit të kundërshtuar), u deklarua në detaje të mjaftueshme (dhe si rrjedhim jo i mangët), duke pasur parasysh detyrimin e prokurorisë për të pohuar faktet materiale që mbështesin secilën nga akuzat.

Kurse, çështja 3 thuhet se është ajo nëse gjykatësi i procedurës paraprake gaboi në konstatimin se vendndodhja e kryerjes së krimeve të akuzuara në paragrafin 157 të aktakuzës ishte deklaruar në detaje të mjaftueshme (dhe kështu jo me të meta), duke pasur parasysh detyrimin e prokurorisë për të pohuar faktet materiale që mbështesin secilën nga akuzat.

“Çështja 4: Nëse PTJ gaboi duke gjetur se detajet shtesë në lidhje me lidhjen e pretenduar të të akuzuarit me krimet e akuzuara në paragrafët 68, 93, 105, 157 dhe 174 të aktakuzës u deklaruan në detaje të mjaftueshme (dhe si rrjedhim jo të meta), duke pasur parasysh obligimi i prokurorisë për të pohuar faktet materiale që mbështesin secilën nga akuzat dhe të drejtën e të akuzuarit për t’u informuar në mënyrë adekuate për rolin e tij në krimet e supozuara”, thuhet nga mbrojtja.

Sipas mbrojtjes, këto çështje do të ndikonin në zhvillimi e drejtë dhe të shpejtë të procesit ose rezultatin e gjykimit.

Po ashtu, ata thonë se një vendim i menjëhershëm nga paneli i Gjykatës së Apelit mund të avancojë materialisht procedurat.

Ndryshe, më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe persekutimin.

Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe persekutimin.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.

“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues. 

Të ngjashme