“Jahjaga Foundation” dhe Oda e Avokatëve të Kosovës, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, për të siguruar mbrojtje falas për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Ish-presidentja, Atifete Jahjaga ka thënë se tash më viktimat nuk janë vetëm, pasi ato kanë pas vetes të gjithë, duke shtuar se askush nuk është dënuar si kryes i kësaj vepre penale.
“Po nënshkruajmë memorandum bashkëpunimi, për ofrime të shërbimeve falas, për të mbijetuarit e dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ky është një hap për të mbështetur mbijetuarit, për të mbrojtur privatësinë e tyre dhe të drejtën e tyre për drejtësi”.
“Në vitin 2014 me themelimin e Këshillit Kombëtar, u iniciua procesi për riintegrim. U bë e mundur njohja e tyre, u hap rruga për verifikimin e statusit të tyre ligjor dhe të drejtat e tyre për kompensim, që ka filluar në shkurt të këtij viti”.
“Kemi punuar për njohjen institucionale, për luftimin e stigmës. Është e vërtetë që kemi shënuar arritje, të rëndësishme, por nuk kemi arritur t’iu ofrojmë drejtësi atyre”.
“Edhe sot pas 20 vjetësh asnjë kryes i këtyre veprave nuk është dënuar dhe nuk ka dalë para drejtësisë. Nuk ka të dënuar as në gjykatat në Kosovë, as në Serbi as në gjykata ndërkombëtare. Prandaj ky memorandum i nënshkruar sot është hap për të fuqizuar të mbijetuarit për drejtësi. Ne duhet të luftojmë kulturën e ndëshkimit dhe duhet të dëshmojmë se askush nuk është dhe nuk duhet të vihet mbi ligjin”.
Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Osman Havolli u shpreh se kjo ditë është shumë e rëndësishme për ta.
“Për ne si Odë është një ditë e shënuar që po nënshkruajmë këtë memonradum për gratë dhe nënat tona që përjetuan një katrahurë dhe kjo na bënë që të ndihemi krenar dhe ato të ndihen që dikush është pas tyre. Kjo është një meritë e presidentes Jahjaga që ka bërë shumë në këtë drejtim”.
Duke shtuar se në këtë proces synojnë të përfshijnë më shumë avokate, e po ashtu si të tillë do t’i nënshtrohen disa trajnimeve.
“Oda do të fillojë të bëjë identifikim e avokatëve që do të merren me këtë fushë duke garantuar në ruajtjen e integritetin e gjithsecilit”.
Ai tha se oda do të bëjë identifikimin e avokatëve të cilët do të merren me këto raste, duke ruajtura kështu identitetin e tyre.
“Jam i interesuar që të jenë avokate femra për shkak të ndjeshmërisë së rasteve. Dhe për këtë do të fokusohemi në bisedime me avokat dhe të identifikojnë grupin e avokatëve që do të jenë në këtë grup”.
“Duhet edhe të mbahen trajnime, edhe të kemi psikolog edhe trajner se si duhet të qasemi ndaj këtyre persianeve”.
Igballe Rogova nga Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës, tha se mbrojtja ligjore tash më e mundur.
“Drejtësia i jep shërim këtij vendit. Ky vit ka qenë për viktimat e dhunës seksuale. Përfundimi i këtij viti me këtë nënshkrim, është vërtetë një ditë shumë prekëse për mu. Viti i ardhshëm shpresojmë që do të jetë vit i drejtësisë”.