Në lagjen “Pejton” në kryeqytet po fillojnë punimet për implementimin e projektit për ndërtimin e rrjetit të kanalizimit dhe rrugëve në këtë lagje.
Për këtë arsye, duke filluar nga dita e sotme, rruga “Nazmi Mustafa” në këtë lagje do të jetë e mbyllur për qarkullim me automjete. Por Komuna s’ka bërë të ditur se deri kur kjo rrugë do të jetë e mbyllur, rrjedhimisht kur pritet të përfundojë projekti.
Komuna e Prishtinës ka lutur banorët për bashkëpunim, fillimisht duke i larguar veturat e parkuara në këtë rrugë, në mënyrë që të mundësohet qasja në pjesët ku do të punohet.
“Falënderojmë qytetarët paraprakisht për mirëkuptimin dhe i lusim që gjatë kësaj kohe të shfrytëzojnë rrugët alternative për qarkullim në këtë pjesë të qytetit”, thuhet në komunikatën e Komunës së Prishtinës.