Mbyllet sot legjislatura e IX e Kuvendit të Shqipërisë, Ruçi: Përmbyllëm reformën në drejtësi

Prishtinë | 07 Kor 2021 | 15:02 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, në seancën e fundit të kësaj legjislature, u ndal në disa vlerësime për arritjet, problematikat dhe përmbushjen e detyrave nga Kuvendi gjatë kësaj legjislature.

Ruçi tha se kjo ishte legjislatura e zbatimit të reformës në drejtësi dhe e vendimit të Këshillit Europian të çeljes së negociatave të pranimit me Shqipërinë.

“Ishte legjislatura e kryerjes së reformës zgjedhore dhe avancimit të reformave të rëndësishme. Ishte legjislatura që ngriti në një nivel të ri dhe bashkëkohor funksionin kontrollues dhe monitorues të Kuvendit. Ishte legjislatura kur Kuvendi u hap më shumë drejt shoqërisë civile, medias, komuniteteve akademike, grupeve të interesit dhe qytetarëve. Ishte legjislatura e përballimit të një sfide të madhe globale, pandemisë së COVID-19 dhe e përballimit me sukses të pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019”, shtoi ai.

Ruçi tha se “gjatë kësaj legjislature miratuam 487 ligje, prej të cilave 424 propozime të Qeverisë, 59 të deputetëve, 3 propozime të përbashkëta të Qeverisë dhe deputetëve dhe 1 propozim i një deputeti dhe 20 mijë zgjedhësve”.

“Gjatë legjislaturës 2017-2021 Kuvendi përfundoi miratimin e paketës së dytë të ligjeve të reformës në sistemin e drejtësisë, duke përmbyllur në këtë mënyrë një nga reformat më të rëndësishme të ndërmarra nga Kuvendi gjatë historisë së tij 30-vjeçare. Paketa përfshin ndryshimet në ligjin për Pushtetin Gjyqësor, ligjin për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ligjin për Gjykatën Kushtetuese, ligjin për Prokurorinë e Përgjithshme, ligjin për SPAK, Kodin Penal, ligjin për Policinë Gjyqësore si dhe ndryshimet në ligjet procedurale Kodin e Procedurës Civile, Kodin e Procedurës Penale dhe ligjin për Gjykatat Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, tha ai.

Këto ligje, tha Ruçi, “kontribuan në rritjen e eficencës, efektshmërisë dhe mirëadministrimit të sistemit të drejtësisë, duke garantuar funksionimin e sistemit gjyqësor”.

“Në kuadrin e reformës në drejtësi, Kuvendi ushtroi përgjegjësitë dhe realizoi detyrimet për ngritjen e organeve të reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Zgjodhëm Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe mbështetëm nevojat e tyre për burime njerëzore, financviare dhe investime. Zgjodhëm anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe kontribuam në bërjen funksionale të këtij organi të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë, duke nxitur edhe institucionet e tjera që ngarkon Kushtetuta, të përshpejtojnë ralizimin e detyrimeve të tyre. Mund të themi me bindje të plotë se nëse Republika ka sot Gjykatë Kushtetuese, merita e parë dhe më e madhe është e Kuvendit të Shqipërisë. Zgjodhëm Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dhe mbështetëm ngritjen dhe fuqizimin e këtij institucioni me burimet e nevojshme materiale, financiare e njerëzore. Zgjodhëm Prokurorin e Përgjithshëm. Zgjodhëm dhe mbështetëm Komisionin e Pavarur për Koordinimin, Monitorimin dhe Ndjekjen e Zbatimit të Ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, tha ai.

Gjatë kësaj legjislature, sipas Ruçit, u ngritën SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, të cilat kanë filluar nga puna, duke iu përgjigjur shqetësimit legjitim politik, kombëtar dhe qytetar dhe urisë popullore për drejtësi dhe luftë kundër pandëshkueshmërisë.

Duke u ndalur te procesi i integrimit europian, Ruçi tha se “gjatë kësaj legjislature, diplomacia parlamentare u fokusua tërësisht në shërbim të përshpejtimit të integrimit europian dhe çeljes së negociatave”.

Shqipëria, vijoi ai, “ka pasur dhe ka vetëm një plan A për të ardhmen e saj dhe ky destinacion është Bashkimi Europian, ylli polar që ndriçon të ardhmen tonë.
“Kuvendi i Shqipërisë ka krenari legjitime se ka kontribuar që Shqipëria të avancojë në axhendën e saj integruese euro-atlantike. Vonesat në mbajtjen e Tryesës së Parë Ndëerqeveritare tashmë nuk varen nga performanca jonë integruese, por nga zhvillimet dhe situate e re ne vendet anëtare të BE-së. Tipari kryesor i kësaj kësaj situate të re është se nëse më parë zgjerimi varej prej plotësimit të standarteve nga vendet tona, tashmë vendimmarrja po bëhet vulnerable sepse varet tërësisht nga qëndrimi i disa vendeve anëtare, qëndrim i cili nuk lidhet domosdoshmërisht me standardet dhe reformat në vendet tona”, tha ai.

“Para disa vitesh, vonimi apo bllokimi i axhendës sonë europiane ndodhte ngaqë Bashkimi Europian kishte objeksione realiste për standardet tona. Sot pengohemi thjesht nga kërkesa të ekzagjeruara që nuk kanë të bëjnë me standartet dhe reformat, por me kapriciot e ndonjë prej fqinjëve tanë. Para disa vitesh, burokratët europianë të dhënë pas numrave, me ose pa të drejtë, kërkonin më shumë realizëm nga politikanët dhe ligjvënësit europianë në qasjen e tyre ndaj vendeve tona. Sot konstatojmë me kënaqësi se fryma europiane e liderëve europianë e ka mundur burokracinë. Deri para pak kohësh, kalendari europian e Ballkanit Perëndimor, ishte në varësi të axhendës elektorale të disa vendeve anëtare. Sot këto vende meritojnë mirënjohjen tonë se, përmbi ethet elektorale, vendosën nevojën për një Europë të të gjithë europianëve. Deri para pak vitesh, vendet, popujt dhe qytetarët tanë paragjykoheshin prej disa vende europiane si “dele të zeza” të Europës.

Sot këto vende meritojnë mirënjohjen tonë sepse janë çliruar prej këtyre paragjykimeve. Deri para pak vitesh, aspiratat europaiste të vendeve të Europës së Re pengosheshin nga standartet e rrepta të vendeve të Europës së Vjetër”, tha ai. /atsh/

Të ngjashme