Zëvendësministri i Drejtësisë Florian Dushi, sot ka marrë pjesë në konferencën përmbyllëse të projektit “Fuqizimi dhe modernizimi i shërbimeve të Mjekësisë Ligjore në Kosovë”, ku të pranishëm ishin Ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Anne Huhtamäki, përfaqësuesi i Zyrës së BE-së, Libor Chlad, udhëheqësja e Institutit Kombëtar për Shëndet dhe Mirëqenie nga Finlanda, Jutta Immanen Poyry si dhe përfaqësues të tjerë vendës dhe ndërkombëtarë.
Zëvendësministri Dushi gjatë kësaj konference fillimisht ka falënderuar Bashkimin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme që është duke ofruar në përforcimin dhe fuqizimin e institucioneve të Kosovës, përfshirë këtu edhe shërbimet mjeko-ligjore.
Duke folur për rëndësinë e shërbimeve mjeko ligjore, Zëvendësministri Dushi theksoi progresin e dukshëm gjatë viteve të fundit në Kosovë, ndërsa sot, sipas zëvendësministrit Dushi, shërbimet mjeko ligjore janë shumë më të avancuara dhe profesionale përfshirë këtu, ekspertizat mjeko-ligjore, hetimet mjekësore mbi vdekjen, zhvarrosjen e mbetjeve mortore, shërbime këto të cilat ofrohen nga Instituti i Mjekësisë Ligjore i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë
“Zhvillimi dhe fuqizimi i vazhdueshëm i shërbimeve mjeko-ligjore ka qenë, është dhe do të jetë ndër prioritetet kryesore të Ministrisë së Drejtësisë. Në këtë kuadër, Ministria e Drejtësisë është e përkushtuar në zhvillimin dhe ngritjen e kapaciteteve të mjekësisë ligjore, gjetjen dhe identifikimi i personave të zhdukur gjatë luftës si dhe hulumtimin e krimeve të luftës. Qëllimi parësor i Ministrisë së Drejtësisë ka qenë që të ofrohen shërbime mjeko-ligjore sa më cilësore për gjykatat, prokuroritë, policinë dhe institucione tjera”, tha Dushi.
Zv.ministri shtoi se ky projekt ka qenë në linjë me nevojat e Ministrisë së Drejtësisë për përforcimin dhe fuqizimin e mëtejmë të shërbimeve mjeko-ligjore në përputhje me praktikat më të mira të BE-së, duke kontribuar kështu në forcimin e sundimit të ligjit dhe rritjen e transparencës në sistemin gjyqësor. Prandaj, Ministria e Drejtësisë, shtoi Zëvendësministri Dushi, mbetet e përkushtuar në angazhimin e saj drejt avancimit të shërbimeve të Institutit të Mjekësisë Ligjore gjë që e dëshmon edhe përmbyllja e suksesshme e këtij projekti të BE-së sot.
Libor Chlad përfaqësues i zyrës së BE-së në Kosovë, tha se në Kosovë forenzika është përmirësuar dukshëm, sidomos institutet ligjore të cilët kanë blerë edhe laboratorë të ndryshëm.
Forenzika e Kosovës po përdor praktikat më të mira të fituara nga vendet e huaja, megjithatë mbetet shumë punë për t’u bërë.
“Ne jemi të gatshëm të vazhdojm projektet tona pasi që i kemi edhe parakushtet që të vazhdojmë punën tonë tutje dhe të jemi pjesë e pandashme e forenzikës”.
Ambasadorja e Ambasadës së Finlandës në Kosovë, Anne Huhtamaki tha se kjo punë e mjekësisë ligjore lidhet edhe me sundimin e ligjit.
Mjekësia ligjore është e lidhur me sistemin e drejtësisë dhe kjo i ndihmon këtij sistemi. “Mjekësia ligjore ndihmon në gjetjen e personave të zhdukur dhe kjo është pika kryesore në këtë projekt”, u shpreh Huhtamaki.