Më 17 shtator do të mbahen tri seanca në Presidencën e Bosnjë e Hercegovinës, e në një prej tyre do të shqyrtohet çështja e njohjes së Kosovës, ka njoftuar “Dnevni Avaz”.
Kryesuesi i Presidencës, Shefi Xhaferoviq, ka konfirmuar për gazetarët se janë bërë konsultimet në lidhje me kërkesat për seanca të jashtëzakonshme që kanë kërkuar anëtarët e Presidencës së BeH, Milorad Dodik e Zheljko Komshiq.
Siç ka thënë ai në një ditë do të mbahen tri seanca, një e zakonshme e dy të jashtëzakonshme, dhe është caktuar më 17 shtator.
Ai ka shtuar se pas seancës së rregullt do të mbahen ato të jashtëzakonshme. Fillimisht do të mbahet seanca me kërkesën e Milorad Dodikut për të zhvendosur ambasadën e BeH nga Tel Avivi në Jerusalem. E menjëherë më pas do të mbahet seancë në lidhje me kërkesën e Zheljko Komshiqit për pranimin e Kosovës.
Xhaferoviq është pyetur për dialogun Kosovë – Serbi. Ai ka thënë se është vetëm çështje e dy venceve.
“Është thënë qartë se ai proces nuk ka asnjë lidhje me asnjë nga shtetet e rajonit dhe se i takon vetëm Beogradit e Prishtinës”, ka thënë Xhaferoviq, raporton Koha.
E Dodik pas takimit me zëvendësin e ndihmësit të Sekretarit dhe përfaqësuesi special i Departamentit të Shtetit, Matthew Palmer, ka folur për kërkesën e Komshiqit për pranimin e Kosovës. Ka thënë se do të jetë kundër.
“Le ta kërkojë. Unë gjithmonë do të votojë kundër. E më pas do të kërkojë mbrojtjen e interesave tona nacionale. Këtu është e rëndësishme të definohen gjërat. Nuk mund të shprehi asnjë qëndrim negativ që kemi dëgjuar sot në takimin me delegacionin amerikan”, ka thënë Dodik. “BeH momentalisht nuk ka qëndrim për pranim apo mospranim, e kjo është mundësi e mirë që më në fund të merret një vendim. Nëse BeH nuk e pranon Kosovën, atëherë është detyrë e BeH të thotë se ne nuk e pranojmë Kosovën. Më duhet t’i falënderohem zotëri Komshiqit, që ka propozuar pikën, pasi ishte e pashembull që unë ta iniciojë e më pas të votoj kundër. Me rëndësi është të definojmë gjërat”.
Ai ka shtuar se është i vetëdijshëm se ngjashëm si ai për Kosovën, edhe Xhaferoviq e Komshiq, do të votojnë kundër ambasadës në Jerusalem.