Biletat për gjysmëfinalen e plejofit të Ligës së Kombeve në futboll mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës do të dalin në shitje online më 2 mars, njoftojnë mediumet e Maqedonisë Veriore të martën, transmeton Koha.net.
Ndeshja mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës do të luhet në stadiumin “Todor Proevski” në Shkup dhe është gjysmëfinale e plejofit të Ligës D të Ligës së Kombeve.
Shitja online e biletave do të bëhet nëpërmjet platformës “MK Tickets”. Njoftohet se një person do të ketë të drejtën e blerjes të vetëm një bilete me letërnjoftim apo pasaportë.
Do të bëhet shitja e biletave për tribunën jugore dhe veriore nëpërmjet sistemit online dhe do të kushtojnë pesë dhe gjashtë euro.
Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut ka vendosur që një numër i konsiderueshëm i biletave të ndahet edhe në Lidhjet Komunale të Futbollit, ndërsa tribuna perëndimore e stadiumit do të jetë e rezervuar për tifozët e Maqedonisë së Veriut, ndërsa ajo lindore për të Kosovës.
Ndeshja Maqedoni e Veriut – Kosovë luhet më 26 mars me fillim nga ora 20:45.