Më 2020 Shqipëria kryen censin e 12-të në historinë e saj

Prishtinë | 30 Tet 2019 | 15:40 | Nga Ekonomia Online

Tiranë, 30 tetor- Instituti i Statistikave (INSTAT) ka planifikuar të kryejë censin e ardhshëm të popullsisë dhe banesave në vitin 2020.

Censi do të ofrojë informacion mbi popullsinë rezidente në Shqipëri dhe karakteristikat e tyre gjeografike, demografike, ekonomike, arsimore, mbi migracionin, banesat dhe karakteristikat e banesave.

Shqipëria gjatë historisë së saj ka kryer gjithsej 11 cense, ku pas viteve ’90 janë zhvilluar vetëm 2 , në vitin 2001 dhe në vitin 2011.

Censi i Popullsisë dhe Banesave 2020 do të luajë një rol vendimtar në përditësimin e informacionit statistikor të nevojshëm në nivel lokal dhe rajonal dhe në kuptimin dhe paraqitjen e ndryshimeve që kanë ndodhur në Shqipëri.

Censi është thelbësor për hartimin e politikave të bazuara në dëshmi dhe përcaktimin e qëllimeve socio-ekonomike dhe planeve për zhvillim të qëndrueshëm në nivel kombëtar, rajonal dhe lokal, si dhe për një sistem statistikor të qëndrueshëm dhe efikas, bazuar në një kombinim të të dhënave administrative dhe të anketës.

Prej 21 tetorit, INSTAT do të nisë aktivitetin pilot të Censit të Popullsisë dhe Banesave, i cili po zhvillohet në terren për 6 javë në 10 zona të caktuara për pilotin/ATSH.

Të ngjashme