Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit mbajti mbledhjen e radhës.
Pika e pestë e rendit të ditës ishte Shqyrtimi i Projektligjit nr. 06/L-062 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Hungarisë për Ekstradim.
Sami Kurteshi nga LVV-ja tha se sa i përket këtij projektligji Kosova duhet të ketë kujdes me të gjitha vendet për ekstradimin e qytetarëve, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se me deportimin e shtetsave turq javën e kaluar, Kosova ka shkelur të drejtat e njeriut dhe Kushtetutën e Kosovës dhe ka humbur hapin për integrim në BE dhe liberalizimin e vizave.
“Kosova e ka shkelë marrëveshjen ku bazohet Kushtetuta e Kosovës. Unë mendoj se Kosova ka bërë hapin vendimtar për në BE, kthim mbrapa për liberalizim nuk ka, pa kërkimfalje ne kemi thy parimin kryesor të fisnikërisë për në BE”.
Ky projektligj u votua nga 6 deputetë dhe kaloi në Kuvend për lexim të parë.
Ndërkaq, shqyrtimi në parim i Projektligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Shqyrtimi në parim i Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës kaluan për lexim të parë në Kuvend me 6 vota për.
Kaluan së bashku dy projektligjet, sepse sipas anëtarëve të komisionit, këto dy projektligje janë në rrugë të njëjtë dhe kanë gabimet e njëjta per të cilat do të krijohen grupet punuese për përmirësimin e tyre.