Më shumë femra se meshkuj në konvikte – Studentët të kënaqur me kushtet, e kanë veç një ankesë “të vogël”

Prishtinë | 19 Shk 2023 | 08:15 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Rreth 65 për qind e studentëve të vendosur në Qendrën e Studentëve (QS) në Prishtinë janë të gjinisë femërore, ndërsa 35 për qind janë djem. Këtë e ka bërë të ditur drejtori i kësaj qendre, Fatmir Sfishta.

Konkurrenca është e madhe për t’u regjistruar aty, ndërsa studentët shprehen të kënaqur me ushqimin dhe kushtet e banimit që ofrohen. E vetmja vërejtje që pati një përfaqësues i një organizate studentore me të cilin bisedoi Ekonomia Online ishte “interneti jo edhe aq i fortë”.

Drejtori i QS-së, Fatmir Sfishta, ka thënë se gati 4000 studentë shërbehen në këtë qendër.

“Përderisa ne e kemi gjithë këtë konkurrencë të studentëve dhe konsiderohemi si zgjedhja e parë e studentëve që të kenë një mundësi që të jenë pjesë e Qendrës së Studentëve mendoj që dëshmon se kushtet janë shumë të mira; dhe çdo vit e më shumë këto kushte janë duke u avancuar. Shpresoj që edhe studentët, në bazë të komunikimeve që kemi me ta në baza ditore, janë të kënaqur me kushtet që ofrojmë ne si Qendër e Studentëve”, u shpreh ai.

“Vetë fakti që i kemi 4000 studentë 24/24 7 ditë të javës është sfidë në vete, jo vetëm që qëndrojnë e flejnë po edhe ushqehen. Ndjeshmëria e shërbimit për studentë të këtyre shërbimeve është shumë e lartë dhe duhet kujdes i jashtëzakonshëm. Pastaj edhe qëndrimi gjatë tërë kohës këtu është sfidë në vete, sepse mosha e re, krizat që po ekzistojnë tash sigurisht që luajnë rol edhe në sjelljen e studentëve. Mirëpo me angazhimin tonë maksimal, mundohemi që këto sfida t’i tejkalojmë”, u shpreh Sfishta.

Sfishta flet edhe për renovimin e konvikteve, i cili bëhet “në bazë të nevojave”.

“Renovimi i konvikteve bëhet në bazë të nevojave që kanë çdo konvikt. Zakonisht këto projekte kryhen gjatë muajve të verës, korrik, gusht dhe shtator, kur studentët nuk janë këtu dhe ato konvikte që planifikohen në fillim të vitit që të ndërhyhet në to, kryhen gjatë asaj periudhe”.

“Janë 5 konvikte të mbushura që janë për gjininë femërore dhe 3 konvikte janë me meshkujt. Raporti është diku 65 për qind me 35 për qind në favor të gjinisë femërore”, u shpreh Sfishta.

Festim Tasholli, nga organizata studentore “Unioni Demokratik Studentor”, tha për Ekonomia Online, tha se kushtet në këtë qendër janë tejet të mira. Ai e veçoi si mangësi internetin jostabil për shkak të ngarkesës.

“Fillimisht Qendra e Studentëve i ka kapacitet diku 3900 vende për studentë të Universitetit të Prishtinës. Kushtet në këto konvikte janë jashtëzakonisht të mira edhe aty ku ka pengesa apo ankesa nga studentët stafi është i gatshëm çdo herë që të jetë në shërbim të tyre për t’i përmirësuar”, tha ai.

“Sfidat janë kryesisht, mungesa e internetit për shkak që ka shumë studentë dhe shpesh herë ngarkohet interneti. Kemi pasur gjatë stinës së dimrit ankesa për shkak të ngrohjeve, por nuk kanë qenë të shpeshta, jashtëzakonisht të rralla”.

Ai thotë se kanë takime të rregullta me studentët që janë banues në Qendrën e Studentëve dhe informohen për kushtet dhe çdo gjë që ndodhë.

Të ngjashme