Me të artën në Izrael Majlinda po kthen sundimin në kategorinë e saj

Prishtinë | 25 Jan 2019 | 08:26 | Nga Ekonomia Online

Në mënyrë impresive ka mbyllur luftën finale Majlinda Kelmendi. Për 36 sekonda e ka rrëzuar dy herë Gili Cohenin e Izraelit, për një fillim të mbarë të vitit 2019. Për një fillim që pritet nga kampionia olimpike dhe njëra prej xhudisteve më të famshme të kohës.

Majlinda Kelmendi 27 vjeç, të enjten, fitoi medaljen e artë në turneun Grand Prix të mbajtur në Tel-Aviv të Izraelit. Është kjo gara e parë e turit botëror të xhudos, që përfshin ngjarjet kryesore të vitit në këtë sport. Majlinda ka fituar të artën në kategorinë deri 52 kilogramë me katër fitore, të gjitha të siguruara me “Ippon”, shkruan sot Koha Ditore.

Në të gjitha luftërat ka realizuar hedhje atraktive, ndërsa Cohenin e mposhti në finale për gjysmë minute. Gjatë kësaj periudhe fare të shkurtër realizoi fillimisht hedhje për “Waza-ari” e më pas realizoi hedhje edhe më të bukur për “Ippon”.

Në gjysmëfinale e ka mposhtur rumunen Andrea Chitu. Lufta ndaj saj shkoi në kohën shtesë, ndërsa Majlinda fitoi pas 4:14 minutave. Për 56 sekonda e mposhti zviceranen Fabienne Kocher, kurse për 1:07 minuta gjeorgjianen Tetiana Levytska-Shukvani. Me Levytskan e Kocherin, Majlinda është takuar për herë të parë. Cohenin e ka mposhtur për herë të dytë, ndërsa me Chitun, bilanci i Majlindës është 7:0. Vetëm me zviceranen Evelyne Tschopp, Majlinda është takuar më shumë. Atë e ka mposhtur tetë herë.

Me triumfin në Tel-Aviv, Majlinda ka bërë edhe një hap drejt kthimit në nivelin më të lartë. Për shkak të lëndimit ajo kishte pushuar prej gushtit të vitit 2017 deri në tetor të vitit 2018.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme