Mediat serbe: Trump dhe Putin ndajnë botën, e nisin me Kosovën

Prishtinë | 24 Jan 2017 | 16:42 | Nga

Donald Trump dhe Vladimir Putin do të ndajnë botën dhe këtë gjë do ta fillojnë prej Serbisë. Me pak fjalë, sipas medieve serbe, ky do të mund të ishte një përshkrim i analizave, të cilat kanë dalë gjatë ditëve të fundit, si nga mediat perëndimore, ashtu edhe ato ruse.

Në mënyrë të veçantë, në përputhje me pritjet se do të ketë përmirësim të marrëdhënieve midis dy superfuqive, të cilat janë marrëdhëniet më të këqija që nga Lufta e Ftohtë, analistët politikë thonë se kjo do të çojë në një ulje të tensioneve, dhe një ndarje e re e sferave të interesit.

Në të gjitha këto analiza, Serbia dhe Kosova, sipas medieve serbe, përcjell Telegrafi, do të jenë si një faktor integral.

Në një shkrim të botuar në mediat serbe thuhet se analistët më të zëshëm britanikë, nuk përjashtojnë as konfliktet e mundshme në Ballkan.

“Kosova do të mund të përdoret si një koncesion në një epokë të re të pajtimit SHBA-së dhe Rusisë”, citojnë mediat serbe ish-ministrin britanik Denis MacShane në analizën rreth situatës në rajon dhe marrëdhënieve midis Trump-Putin-Beograd-Prishtinë, por vë në dukje se një skenar i tillë mund të sjellë në tashmë edhe ashtu të trazuarin rajon, një konflikt të ri të hapur.

Nga ana tjetër, shtohet më tej, Mary Dajevski, kolumniste në “The Guardian” dhe udhëheqëse ekspertësh e çështjeve ruse në Mbretërinë e Bashkuar beson se Moska mund të jetë “një” për të bërë një lëshim të madh që do të çonte në njohjen e Kosovës, si pjesë e vendosjes së marrëdhënieve të reja ndërmjet Amerikës dhe Rusisë.

Ajo thotë se Moska mund të njohë Kosovën si pjesë e një marrëveshjeje paketë, qëllimi i së cilës do të jetë për të mbyllur problemet e ndryshme diplomatike të periudhës së pas luftës së ftohtë që kanë dëmtuar marrëdhëniet ndërmjet fuqive.

Dejevski, siç thuhet më tej, takohet rregullisht me udhëheqësit e Kremlinit përmes grupit “Valdaj”.

Në fakt, nga ky grup thuhet se arrin përgjigja ndaj deklaratës së saj që e hedh poshtë këtë lloj “pazari” ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.

“Mendoj se nuk ka bazë për të ndodhur njohja e Kosovës. Në fakt, problemi i Kosovës në Ballkan në asnjë mënyrë nuk mund të lidhet me marrëdhëniet ruso-amerikane, dhe për këtë arsye një ‘pazar’ i këtij lloji është i pamundur. Me fjalë të tjera, Kosova nuk është temë e diskutimit mes dy vendeve dhe unë nuk besoj se do të jetë në rendin e ditës.

Vetëm në rast se situata në Ballkan përkeqësohet, e cila do të kërcënonte sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare, çështja e Kosovës do të mund të kthehet në vëmendjen e Kremlinit dhe Shtëpisë së Bardhë. Por për momentin nuk ka faktorë që mund të ndryshojnë qëndrimin e Kremlinit rreth integritetit territorial të Serbisë”, citohet të ketë thënë Andrej Sushencov, drejtor i programit të klubit të Valdajit, një ekspert në politikën e jashtme amerikane dhe kreu i politikës së jashtme të agjencisë ruse.

Megjithatë, Igor Pshenichnikov, këshilltar i drejtorit të Institutit rus të Kërkimeve Strategjike, nuk e përjashton mundësinë që Shtetet e Bashkuara mund të “ofrojnë” Krimenë për Kosovën. Por ai është i bindur se Moska nuk do të pajtohej në asnjë rrethanë.

“Me njohjen e Kosovës, ne do të kishim humbur aleatin tonë kryesor në Ballkan, por kjo do të ishte edhe një sinjal për të gjithë ata që kanë pretendime separatiste në Serbi. Për më tepër, njohja e Kosovës nga Rusia do të thoshte shkelje e sistemit ekzistues të së drejtës ndërkombëtare – kjo do të ishte një akt imoral, dhe për këtë arsye Rusia kurrë nuk do ta bënte”, citohet të ketë thënë më tej Pshenichnikov.

Në fund mediat serbe rikujtojnë një deklaratë të muajit të kaluar, ku sipas tyre, Ministria ruse e Punëve të Jashtme ka thënë se “Serbia mund të mbështetet plotësisht në mbështetjen e Rusisë në mbrojtjen e integritetit territorial, kur është fjala për Kosovën”.

Të ngjashme