Mehaj: Vendimet e padrejta ndaj luftëtarëve të lirisë nuk na zbrapsin në synimet tona

Prishtinë | 20 Dhj 2022 | 14:21 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka njoftuar se ka pritur në takim organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, të udhëhequr nga u.d. kryetari i OVLUÇK-së, Faton Klinaku.

“Në vigjilje të festive të fund vitit, sot pata kënaqësinë të pres në takim, udhëheqjen e organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, të udhëhequr nga U.d. kryetari i OVLUÇK-së, Faton Klinaku”, ka shkruar Mehaj.

Ministri Mehaj ka thënë se e ka njoftuar delegacionin me objektivat e tyre për ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të UÇK-së.

“Përfaqësuesit e organizatave të UÇK-së, i njoftova edhe me procesin e realizimit të projektit për mbjelljen e fidaneve në hapësirat e kazermës “Adem Jashari”, ku çdo fidan do të simbolizojë një dëshmor të kombit – luftëtar të UÇK-së”, ka potencuar Mehaj.

Mes të tjerash, Mehaj ka potencuar se janë dakorduar që bashkëpunimi i tyre ndërinstitucional të vazhdojë edhe në të ardhmen me projekte e iniciativa “në shërbim të ruajtjes dhe kultivimit të vlerave tona historike si bazamente frymëzim për të tashmen dhe të ardhmen tonë”.

“Proceset gjyqësore dhe vendimet e padrejta ndaj luftëtarëve të lirisë nuk na zbrapsin në synimet tona për të ecur përpara drejt realizimit të shtetit të fortë dhe prosperues, ishte qëndrimi i përbashkët gjatë takimit të sotëm”, ka shkruar tutje Mehaj.

Të ngjashme