Mehmeti e cilëson BQK-në shtyllë kryesore të ekonomisë: Kreditë aktive u rritën për 1.6 miliardë euro

Prishtinë | 27 Mar 2023 | 15:18 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, e ka vlerësuar institucionin që ai e drejton si shtyllë kryesore të ekonomisë kosovare. Ndërsa, siç parashikon ai, rritja ekonomike për këtë vit do të jetë rreth 3.2 për qind, raporton Ekonomia Online.

Në një konferencë për medie, Mehmeti ka folur për të arriturat si guvernator i BQK-së përgjatë 5 viteve në krye të saj, duke thënë se sistemi financiar në vend ka pasur sukses dhe rritje të vazhdueshme.

“Komunikimi me media ka qenë një faktori shumë i rëndësishëm dhe do te vazhdojë edhe në të ardhmen. Me gjithë vështirësitë që jemi ballafaquar si institucion jam i lumtur që 5 vitet e fundit BQK ka siguruar një sistem financiar stabil dhe të jetë një nga shtyllat kryesore të individëve dhe ekonomisë. Që nga marsi i 2018-ës kemi arritur që me sukses të përmbushim rolin tonë, sistemi financiar në vend gjatë kësaj periudhe ka pasur sukses dhe rritje të vazhdueshme”, ka thënë Mehmeti.

Ai ka folur për nivelin e kredive aktive, të cilat për 5 vjet u rritën për 1.6 miliardë euro, apo 57.9 për qind.

Mehmeti tha se rritja e kredive është mbështetur kryesisht në rritjen e depozitave.

“Rritja e kredive është mbështetur kryesisht nga rritja e depozitave, të cilat në dhjetor të vitit 2022 shënoi 5.55 miliardë euro, apo për një rritje nga 2018-a me rreth 65.1%”, tha ai.

Tutje, ai foli edhe për institucionet mikrofinanciare dhe financiare jobankare, për të cilat tha se nga viti 2018, kanë një rritje të aseteve prej 146 milionë euro.

“Përveç sistemit të bankave, edhe institucionet mikrofinanciare dhe financiare jobankare, kanë shënuar performancë stabile, ku në fund të vitit 2022 vlera e aseteve e këtij sektori ishte 387.7 milionë euro dhe ka një rritje prej 146 milionë euro apo 60.5% krahasuar me vitin 2018”.

“Sikurse tek bankat, edhe tek ky sektor zëri kryesor ishin kreditë, ku në dhjetor të vitit 2022 arritën vlerën 351 milionë euro apo me një rritje për 128.9 milionë euro krahasuar me vitin 2018”, është shprehur Mehmeti.

Në fund ai tha se përparësi si institucion do t’i japin edhe mbrojtjes së konsumatorëve, me ç’rast tha se deri në nëntor të vitit të kaluar kanë arritur 810 ankesa.

Mehmeti dha edhe një parashikim për rritjen ekonomike për këtë vit. Sipas tij, kjo rritje do të jetë rreth 3.2 për qind.

“Ju e dini që pandemi ka qenë një prej faktorëve qe ka ndikuar rritjen e aktivitetit ekonomik negativisht më vend, ku patëm një rënie ekonomike gjatë pandemisë prej 5,2 për qind, pas pandemisë kemi një rritje të theksuar ekonomike me 10.75 për qind edhe këtë vit kemi rritje ekonomike dhe vlerësimet tona janë që do të jetë rritje në 3,2 për qind, e ndikuar prej shumë faktorëve edhe masave të marra nga qeveria e Kosovës”, tha ai.

Mehmeti ka folur shkurt edhe për mospërfshirjen e tij si guvernator i BQK-së. Tha se kjo i takon institucioneve por që do ta respektojë çdo vendim.

“Kjo çështje i përket panelit, komisionit, Kuvendit presidentes e kështu me rend, çfarëdo vendimi që do të merret unë jam për ta respektuar”, tha ai.

Të ngjashme