Fehmi Mehmeti, zëvendësguvernator i Mbikëqyrjes Financiare në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK), ka bërë me dije se në tregun e sigurimeve, gjatë vitit 2015 dhe 2016, numri i kompanive, të cilat ushtruan aktivitet në tregun e sigurimeve në Kosovë, ishte pesëmbëdhjetë.
Mehmeti në këtë intervistë për gazetën “Epoka e re” ka thënë se nga gjithsej numri i kompanive të sigurimeve, 12 prej tyre janë kompani sigurimi jojetë, ndërsa tri të tjera janë kompani sigurimi jetë.
“Bazuar në të dhënat e raportuara nga kompanitë e sigurimeve në BQK, gjithsej shuma e primeve të shkruara bruto në tregun e sigurimeve të Kosovës për periudhën 31 dhjetor 2016 arrin në 83.7 milionë euro ose 3 % më e lartë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Nga gjithsej bruto primet e shkruara, 97 % e primeve përbëhet nga produktet e sigurimit jojetë, ndërsa 3 % e primeve përbëhen nga sigurimet jetë. Sigurimet jojetë gjatë periudhës vjetore vazhduan me një trend të rritjes për 3.2 % në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, ndërsa sigurimet jetë më 31 dhjetor 2016 shënuan rënie në masën prej 5 % në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak”, është shprehur Mehmeti.
Ju lutem a mund të na jepni një informatë të përgjithshme për tregun e sigurimeve në Kosovë?
Në tregun e sigurimeve, gjatë vitit 2015 dhe 2016, numri i kompanive të cilat ushtruan aktivitet në tregun e sigurimeve në Kosovë ishte pesëmbëdhjetë (15). Nga gjithsej numri i kompanive të sigurimeve, 12 prej tyre janë kompani sigurimi jojetë ndërsa 3 tjera janë kompani sigurimi jetë. Bazuar në të dhënat e raportuara nga kompanitë e sigurimeve në BQK, gjithsej shuma e primeve të shkruara bruto në tregun e sigurimeve të Kosovës për periudhën 31 dhjetor 2016 arrin në 83.7 milionë euro ose 3.0% më e lartë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Nga gjithsej bruto primet e shkruara, 97% e primeve përbëhet nga produktet e sigurimit jojetë, ndërsa 3% e primeve përbëhen nga sigurimet jetë. Sigurimet jojetë gjatë periudhës vjetore vazhduan me një trend të rritjes për 3.2% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak,ndërsa sigurimet jetë me 31 dhjetor 2016 shënuan rënie në masën prej 5% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Kemi informata që disa kompani të sigurimeve nuk janë në pajtueshmëri me rregullat në fuqi. Sa është e vërtetë kjo?
Sa i përket kësaj çështje, mund të konstatojmë se të gjitha kompanitë janë duke respektuar kornizën ligjore në fuqi, ku prej15 kompanive të sigurimeve, 12 kompani kanë arritur të përmbushin kërkesat ligjore, të rregullativës së re, ndërsa 3 prej tyre kanë hasur në vështirësi në përmbushjen e këtyre kërkesave, dhe në këtë kontekst, BQK-ja ka ndërmarrë masat adekuate ligjore për të siguruar mbarëvajtjen dhe funksionimin e tyre sipas kërkesave ligjore në fuqi. Megjithatë, këtu duhet pas parasysh edhe Ligjin për Sigurimet dhe legjislacionin sekondar të aprovuara së fundmi, të cilat përcaktojnë kërkesa më të mëdha sa i përket funksionimit të tyre, dhe të cilat janë në harmoni me Direktivat e Bashkimit Evropian. Me këtë rast do përmendja kërkesat e Solvencës 1, rregulloren për asetet në mbulim të provizioneve teknike dhe rregullore tjera që kanë kërkesa specifike, që rregullojnë tregun e sigurimeve, dhe që janë të ngjashme me kërkesat e Direktivave të Bashkimit Evropian. Kjo ka qenë edhe kërkesë e Bashkimit Evropian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar me qëllim të rregullimit të tregut të sigurimeve si dhe krijimin e standardeve të ngjashme me vendet e BE-së për funksionimin e kompanive të sigurimeve.
Kjo i kontribuon edhe më tepër shtimit të besimit të publikut si dhe mbrojtjes së policë-mbajtësit në raport me sigurimet.
Ju i përmendët disa rregullore të reja. A mund të na jepni një informatë më të gjerë lidhur me legjislacionin e sigurimeve?
Sektori i sigurimeve në Kosovë, deri në fund të vitit 2015 ka punuar bazuar në Rregulloren e UNMIK-ut 2001/25 për Licencimin dhe Mbikëqyrjen e kompanive të sigurimeve. Gjatë vitit 2015 BQK-ja ka qenë e përfshirë në draftimin e Projektligjit për Sigurimet, ku pas draftimit final të këtij Projektligji, e ka dërguar tek Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë, për rishikim nëse është në pajtueshmëri me Direktivat e Bashkimit Evropian. Pas rishikimit dhe pranimit të konfirmimit pozitiv lidhur me pajtueshmërinë e Projektligjit me Direktivat e Bashkimit Evropian, Ligji është dërguar për procedim të mëtejmë. Në të njëjtën kohë, ky Projektligj është përpiluar edhe në bashkëpunim me sektorin e sigurimeve në Kosovë, të cilët kanë pasur mundësinë e komentimit të Projektligjit gjatë kohës së finalizimit të tij. Në muajin dhjetor 2015 ky Projektligj është aprovuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës (Ligji nr. 05/L-045 për Sigurimet). Risitë dhe ndryshimet janë se, sipas Ligjit për Sigurimet, në Kosovë do fillohet me zbatimin e regjimit të Solvencës I, si fazë fillestare dhe përgatitore, për zbatim të Solvencës II në të ardhmen, e cila përdoret nga vendet e Bashkimit Evropian.
Bazuar në kërkesat e Ligjit të ri për Sigurimet, BQK-ja sipas mandatit të saj mbikëqyrës ka filluar me draftimin dhe aprovimin e legjislacionit sekondar, të aplikueshme nga ana e kompanive të sigurimit që operojnë në Republikën e Kosovës. Gjatë vitit 2016, BQK-ja ka aprovuar 13 rregullore, që lidhen me fushën e sigurimeve, prej të cilave do përmendja disa më të rëndësishmet, si rregulloret: për investimin e aseteve në mbulim të provizioneve teknike, për risigurimin, për aktuarët e sigurimeve, për kontrollet e brendshme dhe auditimin e brendshëm, për provizionet teknike, publikim të informacionit dhe rregullore tjera. Një rregullore tjetër e rëndësishme për sektorin e sigurimeve, e cila është nxjerrë nga BQK-ja, është edhe rregullorja për përcaktimin e kritereve për vlerësimin e dëmeve jomateriale nga autopërgjegjësia, me të cilën janë të përcaktuar kriteret unike të kompensimit të dëmeve jomateriale dhe dëmeve të tjera, si pasojë e aksidenteve të trafikut, që janë objekt i sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia. Kjo rregullore është aprovuar duke pas parasysh kërkesat e vazhdueshme të sektorit të sigurimeve, si dhe mungesën e këtyre kritereve që nga fillimi i aktivitetit të kompanive të sigurimit. Për këtë qëllim, BQK-ja bashkërisht me sektorin e sigurimeve dhe institucionet relevante shtetërore, përkatësisht me Ministrinë e Shëndetësisë, të cilën shfrytëzoj rastin ta falënderoj, kemi përpiluar dhe aprovuar këtë rregullore.
Përpos këtyre rregulloreve të aprovuara, BQK-ja është në proces të finalizimit edhe të rregulloreve tjera të rëndësishme për sektorin e sigurimeve, të cilat priten të aprovohen gjatë këtij viti.
Së fundmi është përfolur lidhur me një rregullore që i mundëson kompanive të sigurimeve të krijojnë monopol në tregun e sigurimeve?
Në mënyrë specifike nuk jemi në dijeni se në cilën rregullore po aludoni, por ju siguroj ju dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se BQK-ja asnjëherë nuk ka aprovuar dhe nuk do të aprovoj Rregullore që mundëson krijimin e monopolit në treg apo në dëm të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Për informimin tuaj, objektiv i BQK-së është mbrojtja e policë-mbajtësve dhe rritja e konkurrencës në treg, me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më cilësore për qytetarët. Lidhur me këtë, ju informoj edhe se, të gjitha Rregulloret e aprovuara nga ana e BQK-së janë të publikuara në faqen zyrtare, në të cilat kanë qasje të gjithë dhe janë në harmoni me praktikat më të mira të sigurimeve dhe Direktivat e Bashkimit Evropian.
Po flitet për një marrëveshje të fshehtë të pronarëve të kompanive të sigurimeve, me qëllim të krijimit të monopolit në treg. A jeni në dijeni të kësaj marrëveshje?
Ne si BQK nuk jemi në dijeni të asnjë marrëveshje, e cila do të dëmtonte konkurrencën dhe e cila do të ishte në dëm të policë-mbajtësve. Në rastet kur BQK-ja evidenton se ka marrëveshje të tilla, pra që dëmton konkurrencën dhe policë-mbajtësit, reagimi i BQK-së do të jetë shumë i ashpër kundrejt çfarëdo marrëveshje të tillë.
Së fundmi, me sa jemi në dijeni, keni pranuar një raport nga një vizitë e Fondit Monetar Ndërkombëtar lidhur me sigurimet? Çfarë përmban ky raport?
Me kërkesë të BQK-së, ekspertë të Fondit Monetar Ndërkombëtar kanë vlerësuar tregun e sigurimeve në Kosovë. Ky raport vlerëson lartë punën e BQK-së në aspektin legjislativ, të mbikëqyrjes, por sigurisht se ka edhe rekomandime që duhet të zbatohen, për përmirësim të tregut të sigurimeve në Kosovë.
A mund të na tregoni të paktën ndonjë rekomandim të FMN-së që ka kërkuar nga BQK-ja që të zbatohet?
Ekspertë të FMN-së, gjatë punës së tyre, kanë pranuar informatat nga BQK-ja, kompanitë e sigurimeve dhe kompanitë audituese lidhur me tregun e sigurimeve. Nga takimet me të gjithë këto palë, kanë arritur në disa konkluzione, të cilat janë të shkruara në raport. Një prej tyre, dhe e cila ka kërkuar veprim konkret nga BQK-ja, ka qenë trajtimi i shpenzimeve të larta të kompanive të sigurimeve, e në veçanti shpenzimet e shpërndarjes, respektivisht komisioneve. Mbi bazën e këtij rekomandimi të dhënë nga FMN-ja, BQK-ja ka nxjerrë Rregulloren për shitjen e sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia dhe menaxhimin e shpenzimeve të siguruesve, me të cilën rregullohet çështja e shpenzimeve të komisioneve dhe shpenzimeve të Kompanive të Sigurimeve. Qëllimi kryesor i kësaj rregulloreje është mbrojtja e policë-mbajtësve.
Ju e përmendët nxjerrjen e kësaj rregulloreje. A ndikon kjo rregullore në çmimin e policave dhe krijimin e monopolit?
Në asnjë mënyrë kjo rregullore nuk ndikon në çmimin e policave të sigurimit dhe në asnjë mënyrë nuk i mundëson askujt krijimin e monopolit në treg. Çështja e çmimeve të policave të sigurimit nga autopërgjegjësia është e rregulluar me Rregulloren për përcaktimin e strukturës së primit për sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia. Sa i përket çmimeve dhe konkurrencës në treg, ato mbesin të njëjta, që nga fillimi i aktivitetit të sigurimeve në Kosovë.