Mërgimtarët në Kosovë/Tregojnë a erdhën për zgjedhje

Prishtinë | 21 Dhj 2025 | 15:32 | Nga Ekonomia Online

Fundviti po e gjen Kosovën në fushatë zgjedhore. Më 28 dhjetor, qytetarët do të vendosin për qeverinë e re. Ndërsa po afrohen festat, këto ditë mijëra mërgimtarë po kthehen në vendlindje. Përveç festave dhe pushimeve, zgjedhjet janë një arsye shtesë që shumë prej mërgimtarëve të kthehen. E lidhur me këtë, Ekonomia Online qëndroi gjatë ditës për të parë fluksin dhe për të dëgjuar mendimin e mërgimtarëve.

Blerim Berisha, i cili është nga Ferizaj dhe jeton në Zvicër, u shpreh se e viziton shpesh Kosovën. Sa i përket zgjedhjeve të parakohshme, pa dashur të përmendë emra, ai tha se duhet të fitojë ai që është më i miri, duke lënë hapësirë se mund të ndërrohen partitë në qeverisje.

“Çdo vit vij 3–4 herë, e deri në 5 herë. Mirë që qëlluan, vijmë çdo vit. Po për të mirin nuk do të thotë patjetër të jetë një parti, por për më të mirin, ai që punon për shtetin dhe për qytetarin, atë duhet me votu”, tha ai.

Ndërsa Sadik Blakaj, që erdhi nga Kölni i Gjetmanisë për Ekonomia Online tha se zgjedhjet nuk ishin arsyeja kryesore e vizitës së tij. I pyetur se kush do të jetë fituesi, ai tha se duhet të fitojë më i miri.

“Jo, kombinime i kemi do gëzime, por gëzimi më i madh janë festat e fundvitit dhe zgjedhjet. Populli do ta vendosë vetë se kush do të fitojë. Mendoj se duhet të zgjidhet ai më i miri, ai që punon për vendin”, theksoi ai.

Mërgimtari Ramadan Salihu tha se për zgjedhjet e ka kryer obligimin, pasi ka votuar me postë.

“As për festa e as për zgjedhje. Kam ardhur për varrim, përndryshe kam votuar dhe e kam kryer obligimin. Për fat të keq nuk jam optimist”, tha Salihu.

Sokol Hallaraj tha se vota e tij do të jetë për kandidatin e Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti.

“Kemi ardhur t’i shohim prindërit që i kemi këtu, se festat i festojmë më mirë atje ku jetojmë. Jo, nuk kemi ardhur për të votuar, kemi ardhur për familjarët. Patjetër që kemi me dalë dhe patjetër Albin Kurti”, tha ai.

Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 28 dhjetor, datë kjo e cila u kundërshtua nga opozita, pasi sipas tyre nuk është e përshtatshme për shkak të festave të fundvitit.

Të ngjashme