Merkel: Proteksionizmi nuk është përgjigje për problemet në botë

Prishtinë | 24 Jan 2018 | 16:14 | Nga

Në adresimin e saj në Forumin Botëror Ekonomik në Davos, kancelarja gjermane, Angela Merkel ka thënë se izolimi dhe proteksionizmi nuk janë zgjidhje për sfidat me të cilat janë duke u përballur vendet në botë.

“Ne besojmë se izolimi nuk do të dërgojë përpara. Ne besojmë se duhet të bashkëpunojmë dhe se proteksionizmi nuk është përgjigja e duhur”, ka thënë Merkel në mbledhjen vjetore gjatë ditës së sotme.

Në hapjen e këtij forumi gjatë ditës së djeshme, kryeministri indian, Narendra Modi ka paralajmëruar, se rritja e proteksionizmit paraqet një nga kërcënimet më të mëdha për botën.

Më shumë se 60 udhëheqës të shteteve dhe qeverive, si dhe qindra liderë biznesesh, akademikë dhe personalitete të ndryshme do të jenë pjesë e takimit katër ditor në malin zviceran nën logon “Krjimi i një të ardhmeje të përbashkët në një botë të çarë”.

Në rreth 400 debate në panele të ndryshme do të diskutohen tema për ekonomi, ambient, terrorizëm dhe mënyra se si refugjatët mund t’i kontribuojnë shteteve përkatëse.

Presidenti amerikan, Donald Trump pritet ta dominojë pjesën më të madhe të bisedimeve edhe para fjalimit të tij në ditën e fundit të forumit.

Ai ka shtyer përpara politikën e tij tregtare “Amerika e Para”, me qëllim të mbrojtjes së bizneseve lokale nga konkurrenca e huaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme