Merkeli dhe Macroni, të përçarë thellë rreth NATO-s

Prishtinë | 25 Nën 2019 | 11:02 | Nga Ekonomia Online

Angela Merkel, kancelarja e Gjermanisë, ishte pazakonshmërisht e xhindosur.

Në një darkë për shënimin e 30-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit, ajo ia numëroi të gjitha që i kishte në mendje presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili porsa e kishte dhënë intervistën, në të cilën e pati quajtur NATO-n “klinikisht të vdekur”, dhe po e vinte në pikëpyetje përkushtimin e saj për mbrojtjen kolektive.

Macroni ka qenë po ashtu i vetmi lider që përdori veton për fillimin e bisedimeve fuqizuese të anëtarësimit në Bashkimin Evropian për Maqedoninë Veriore, ani pse Shkupi kishte bërë gjithçka që Brukseli i kishte kërkuar, përfshirë edhe ndryshimin e emrit të vendit.

“E kuptoj dëshirën tënde për politika përçarëse”, kishte thënë Merkeli, shkruan “The New York Times”, transmeton “Koha Ditore”. “Ama jam lodhur duke i mbledhur copëzat. Sërish e sërish, unë i ngjis copëzat e gotave që ju i thyeni, ashtu që të mund të ulemi sërish dhe të mund të pimë nga një gotë çaj”.

Macroni u mbrojt, duke thënë se nuk mundet thjesht të shkojë në takimin e NATO-s në Londër, në fillim të dhjetorit, dhe të shtiret sikur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Turqia kanë demonstruar sjellje me interes kolektiv në Siri.

“Nuk mund të ulem aty dhe të shtirem sikur asgjë nuk ka ndodhur”, ka thënë ai.

Keqkuptimi i Merkelit

Bashkëbisedimi nxjerr në pah përçarjet serioze që dominojnë marrëdhënien franko-gjermane, si dhe tensionet që ndërlidhen me takimin e shkurtuar të NATO-s në periferi të Londrës, i cili me shumë kujdes është degraduar prej një samiti në takimin e liderëve për shënimin e shtatëdhjetëvjetorit të Aleancës.

“Ka shumë kohë që nuk i kam parë marrëdhëniet Francë-Gjermani të jenë në pikën më të ulët”, ka thënë Claudia Major, një analiste e sigurisë në Institutin gjerman për Marrëdhënie me Jashtë dhe Siguri. “Rrallëherë kam parë kaq zemërim dhe keqkuptime”.

Macroni, si një president ambicioz francez me kompetenca pothuajse mbretërore, po tregohet përherë e më i paduruar me pragmatizmin e ngadaltë të Merkelit dhe me federalizmin dhe koalicionin qeverisës të Gjermanisë, thotë Major.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme