Merkeli, Makroni dhe Putini bisedojnë për përdorimin e vaksinës ruse në Evropë

Prishtinë | 31 Mar 2021 | 08:21 | Nga Ekonomia Online

Presidenti rus, Vladimir Putin, është në bisedime me kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe homologun e tij francez, Emmanuel Macron, kanë diskutuar në lidhje me përdorimin e vaksinës “Sputnik V” në Evropë, tha të martën Kremlini.

Në deklaratën e autoriteteve ruse thuhet se liderët, mes tjerash, diskutuan edhe për perspektivën e regjistrimit të vaksinës ruse në Bashkimin Evropian dhe për mundësinë e dërgimit dhe prodhimit të përbashkët në vendet e BE-së.

Shpërndarja e ngadalshme e vaksinës për Covid-19 në Evropë është përkeqësuar edhe më shumë nga mungesa e dozave, por kjo mungesë pritet të zbutet në masë të konsiderueshme nga muaji i ardhshëm, kur të arrijnë mbi 300 milionë doza nga kompanitë “Pfizer/BioNTech”, “Moderna”, “AstraZeneca” dhe “Johnson & Johnson”, të cilat do të shpërndahen në prill, maj dhe qershor.

Qeveria gjermane konfirmoi javën e kaluar se do të jetë e hapur për përdorimin e vaksinës “Sputnik V”, nëse ajo miratohet nga Agjencia Evropiane e Ilaçeve, shkruan The Guardian.

Kancelarja Merkel ka thënë se Gjermania duhet të përdorë çfarëdo vaksine që miratohet nga rregullatori evropian, ndërsa Ministria e Shëndetësisë e këtij vendi javën e kaluar tha se të gjitha vaksinat janë të mirëseardhura, nëse janë miratuar nga Agjencia Evropiane e Ilaçeve.

Franca, megjithatë, ka qenë më e rezervuar. Ministri i Punëve të Jashtme, Jean-Yves Le Drian, javën e kaluar i akuzoi Rusinë dhe Kinën për shfrytëzim të vaksinave për të fituar ndikim dhe për të përfituar në rrafshin ndërkombëtar.

Të ngjashme