Qysh prej fillimit të qershorit, çdo vit në kishat e Beogradit shpërndahen ftesa për të marrë pjesë në ditën e Vidovdanit, që është festë nacionale e fetare për serbët. Ndryshe njihet edhe si dita e Shën Vitusit.
Qindra serbë më 28 qershor ia mësyjnë Gazimestanit, monument që gjendet afro 8 kilometra larg Prishtinës. “Ghazi” në gjuhën arabe i bie hero, e “mesto” në gjuhën serbe është vendi, shkruan sot “Koha Ditore”.
Bëhet fjalë për një kremte për heronjtë. Atë të qershorit 1389, kur trupat e Perandorisë Osmane dhe ato të koalicionit ballkanik u ndeshën në atë që njihet si Beteja e Kosovës.
Serbët në qershor shënojnë Betejën e Kosovës sikur të kishte qenë fitore. Por afro dy kilometra larg këtij monumenti, një tjetër objekt është ngritur e aty shpaloset krejt tjetër version i asaj beteje. Në Tyrben e Sulltan Muratit, fituese del të jetë Perandoria Osmane.
Beteja si version hyjnor
I rrethuar me tela, Gazimestani gëzon siguri të lartë. Dy policë, njëri shqiptar e tjetri serb, vazhdimisht bëjnë rojë në hyrje të oborrit. Kalimi i “kufirit” shoqërohet me dorëzim të kartave të identitetit.
Tek monumenti i finalizuar më 1953 si projekt i arkitektit serb Alaksandar Deroko, nuk qëndron asnjë ciceron. Kompleksi gjallërinë më të madhe e ka në ditën e 28 qershorit. Objekti i gurtë, 25 metra i lartë ngjan edhe me ndonjë kullë vrojtuese.