Serbët mblidhen në Gazimestan, çdo vit e më pak

Prishtinë | 28 Qer 2016 | 15:28 | Nga Ekonomia Online

Disa qindra qytetarë serbë janë mbledhur sot në Gazimestan, në afërsi të Prishtinës, për të shënuar Ditën e Vidovdanit. Kremtimi i kësaj dite ndërlidhet me përvjetorin e 627 të Betejës së Kosovës, që historia serbe e njeh si fitoren shpirtërore të saj, pavarësisht një humbjeje të madhe të forcave ballkanike.

Pranë monumentit të Betejës së Kosovës, të ndërtuar nga mesi i shekullit të kaluar nën administrimin jugosllav, pas mesditës u zhvillua një ceremoni me një prani më të vogël të qytetarëve të komunitetit serb, në krahasim me vitet e tjera.

Por, edhe sivjet, pjesëmarrësit shumica të rinj, kanë mbajtur mbishkrime nacionaliste e flamuj serbë, si dhe kanë kënduar këngë nacionaliste, duke thënë se Kosova gjithmonë ka qenë serbe.

Madje, disa serbë kanë pasur në fanella fotografitë e kriminelëve serbë, Slobodan Millosheviq dhe Ratko Mladiq.

Autobusët që kanë ardhur nga veriu, por edhe nga Serbia, janë përcjellë nga policia e Kosovës.

Policia e Kosovës ka thënë se do të garantojë sigurinë për secilin qytetar, lirinë e lëvizjes, porse edhe “nuk do të lejojë provokimet”.

Sikur shihet në fotografinë e Ekonomia Online, edhe njësitet speciale kanë qenë në gatishmëri, por manifestimi ka kaluar pa ndonjë incident.

Ndërkohë, liturgjia kryesore është mbajtur, gjatë ditës, në Manastirin e Gracanicës të cilën e udhëhoqi Peshkopi Teodosije I Peshkopatës Rashkë-Prizren. Në ceremoninë e sotme në Manastir mori pjesë edhe zëvendëskryeministri I Kosovës, nga radhët e komunitetit serb, Branimir Stojanoviq, i cili deklaroi se “serbët duhet ta ruajnë trashëgiminë e tyre në Kosovë”.

Festimeve të sotme, gjatë orëve të pasdites do t’i shtohet edhe përurimi i shtatores së Princit Lazar, e lartë mbi 7.5 metra dhe të vendosur në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës. Vendosja e shtatores ka ngjallur reagime të shumta në mesin e shqiptarëve të Kosovës, që e cilësuan si “nxitje të urrejtjeve etnike” ndërkohë që për serbët “vendosja e saj shënon kthim në rrënjët serbe”.

Vidovdani, është njëra prej festave që nga serbët vlerësohet si më e rëndësishmja. Kjo kremte, në periudhën e dominimit të presidentit serb Sllobodan Millosheviç u keqpërdor për nxitjen e nacionalizmit serb në ish-Jugosllavi, që nxiti luftërat në Ballkan.

Kosova dy dekada më vonë, pas intervenimit të NATO-s, që nxori jashtë administrimin serb, shpalli pavarësinë e saj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme