Numër i vogël i serbëve në Gazimestan për Vidovdan, bëhet thirrje kundër ndikimit të Erdoganit

Gazimestan | 28 Qer 2018 | 12:24 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

(E plotësuar) Numër i vogël i serbëve kanë ardhur në Gazimestan për të festuar Vidovdanin, Betejën e Kosovës të cilët e konsiderojnë si fitore të tyre.

Qytetarët e mbledhur mbanin të veshur bluza me mbishkrime “Kosova është Serbi” dhe flamuj të Serbisë. Disa prej tyre kanë provokuar me mbishkrime nacionaliste si dhe figura të kriminelëve serbë, Sllobodan Millosheviq dhe Ratko Mladiq.

Disa të rinj kanë shpalosur një pankartë, ku shkruante “Nuk dua ta tradhtojë Kosovën”. Këtë herë nuk ishin të pranishëm përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të Beogradit.

Peshkopi Atanasie në fjalimin e tij pas liturgjisë ka bërë thirrje që mos të braktiset Kosova, duke bërë thirrje që në këto treva nuk duhet lejuar kthimi i sulltanëve të rinj.

“Erdogani nuk duhet lejuar të kthehet as në Serbi e as në Kosovë siç po bën me investime. Kosova do të rroj, Serbia do të rroj. Kosovën do ta çlirojmë”.

Forca të shumta policore në Gazimestan, pritet të fillojë festimi i Vidovdanit

Serbë nga Serbia dhe Kosova kanë filluar të mblidhen në Gazimestan, ku po shënojnë festën që ata e quajnë Vidovdan, e cila përkon me 629 vjetorin e humbjes së Betejës së Kosovës.

Numër i konsiderueshëm i policëve shihet se janë mbledhur, ndërkohë shihen edhe grupe të banorëve serbë, raporton Ekonomia Online.

Gjithashtu shumë besimtarë ortodoksë janë mbledhur në Manastirin e Graçanicës për të ndjekur liturgjinë e udhëhequr nga Peshkopi Teodosije, Peshkopi në pension Atanasije Jevtiq etj.

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, nuk do të mund të hyjë në Kosovë sot për të marrë pjesë në festimet e Vidovdanit, e kjo ka ndodhur për shkak të deklaratave të tij nacionaliste kundër Kosovës.

Ndërsa, drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, iu është lejuar hyrja.

Ndërsa Policia e Kosovës ka bërë të ditur se për festën religjioze ortodokse të Vidovdanit, e cila festohet me datën 28 qershor, përmes hartimit të planit operativ, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbajtjen e rendit dhe sigurisë publike, zbatueshmërinë e ligjit në vend, si dhe shtimin e masave të sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike, para, gjatë dhe pas manifestimeve.

Të ngjashme