Mësimet dhe Garancitë për Kosovën dhe Vijat e Kuqe për Serbinë

Prishtinë | 26 Sht 2023 | 07:59 | Nga Shenoll Muharremi

Ngjarja dramatike e së dielës në Banjskë të Zveçanit ku pati luftime dhe viktima ka sjellë mësime të rëndësishme për Ballkanin, por edhe botën. Nuk ka qenë një operacion apo ngjarje e thjeshtë dhe spontane. As një luftim i kufizuar mes Policisë së Kosovës dhe grupeve paraushtarake të Serbisë. Tash pasi që kaluan mbi 70 orë duket sikurse në Kosovë patëm një kontroll të realitetit dhe një mini-luftë të shkurtë botërore ku ishin të përfshirë përpos Ballkanit (Kosovës dhe Serbisë) edhe forcat kryesore globale të sigurisë. Ne tashmë kemi mësimet kryesore dhe vijat e kuqe që mund të jenë si në vijim:

  1. Sovraniteti dhe Integriteti Territorial i Kosovës është i paprekshëm. Kjo demostrohet për faktin që në momentin kur Serbia kishte bërë gati operacionin kryesor për të sulmuar Policinë e Kosovës dhe të bëjë publike formacionet paraushtarake e zbarkoj ato deri tek Ura e Ibrit, garantuesit e paqes së Kosovës reaguan. Operacioni më i madh operacional i Policisë së Kosovës nën hijen e KFOR u organizua dhe Serbia u de-konspirua. Mësimi kryesor nga kjo ngjarje dramatike është që sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm. Kjo është një mesazh edhe siguri për Albin Kurtin, gjithashtu.
  2. As Kosova e as Serbia nuk e kanë nën kontroll Veriun. Sikurse Kosova të kishte pasur kontrollin, Serbia nuk kishte pasur mundësi të i fus gjithë ato armë dhe infrastrukturë ushtarake. Sikurse Serbia të kishte pasur kontroll, nuk ishte zmbrapsur operacioni më i madh i tyre në Kosovë me aq lehtësi për disa orë të vetme. KFORi dhe strukturat ushtarake të inteligjencës janë faktori dhe garantuesi kryesor në veri deri në një situatë të re politike.
  3. Goditje Direkte në Kokë për Vuçiq. Presidenti i Serbisë është humbësi më i madh nga e Diela e Zezë. Akti kryesor dhe final i tij që të marrë me forcë veriun dhe ta shtrij autonominë e Serbëve dështoj. Serbia, nga një shtet ‘konstruktiv’ në negociata u transformua në një shtet që sponsorizon dhe eksporton terrorizëm në Ballkan. Plani i tij dhe Rusisë të destabilizoj Kosovën dhe Ballkanin dështoj keq. U de-konspirua dhe u turpërua. Ishte një vazhdimësi e shkrimeve të New York Times ku thuhej që Vuçiqi ndërlidhet me krimin e organizuar, drogën dhe mafian në Serbi dhe Ballkan. Kredibiliteti dhe pozicion i tij ndërkombëtar u dobësua. Nga një aleat që ishte shndërruar për emisarët e SHBA dhe BE, u transformua në një sponsorizues dhe organizator të terrorizmit. SHBA dhe BE e dënuan aktin terrorist kundër Kosovës.
  4. Formati i Dialogut ka dështuar dhe nevojitet një Format i Ri. Linja, çasja dhe metodoligjia e Lajcak dhe Escobar ka dështuar. Mënyra si e kanë organizuar dialogun dyshja ka rezultuar në ‘keqkuptimin’ dhe trimërimin e Serbisë të dhunoj projektin më të madh të Perëndimit në botë, Kosovën shumë etnike. Kishin izoluar dhe frustruar Kryeministrin e Kosovës Kurtin deri në atë masë saqë e detyruan të dal publikisht kundër Lajçak dhe ta akuzoj se e mban anën e Serbisë. Ai lloj dialogu e lehtësimi ka vdekur. Nevojitet një format i ri me qendër Marrëveshjen Finale që arrihet përmes “Shuttle” Diplomacisë dhe ka afat kohor gjashtëmujor për finalizim.
  5. Asociacioni do të bëhet. Kosova është bërë me dine që integriteti territorial i saj është i cenueshëm nga Serbia, por garantohet nga NATO. Kështu që një Asociacion me shumicë të komunave serbe do të bëhet, por nuk do ta cenoj sovranitetin dhe integritetin territorial. Kompetenca e Asociaciont përfundojnë tek vet-menaxhimi në nivel lokal dhe bashkëpunimi ndërkomunal në disa fusha. Kosova nuk mund t’i ik më Asociacionit se alternativa është aneksim i veriut me forcë nga Serbia përmes grupeve paraushtarake sic edhe u demonstrua. Sa më shumë shtyhet Asociacion, varianti është më i keq për Republikën e Kosovës, siç edhe u konfirmua vitet e fundit.
  6. Një Operacion Policor me Metodë Ndërkombëtar. U vra polici i Kosovës Afrim Bunjaku e u liruan të ikin vrasësit e tij. Megjithatë një operacion ku menaxhimi, organizimi dhe profesionalizimi i Policisë së Kosovës ishte në nivelin më të lartë botëror. Të vrahet polici i Kosovës dhe të i lejosh të largohen vrasësit e tij potencial, terroristët, nënkupton një disiplinë të paparë në Ballkan gjatë historisë. Koka e nxehtë ballkanase kishte nisur një luftë në atë moment, se kishte vrarë të gjithë sulmuesit e ndoshta indikret edhe pelegrinët ishin bërë pjesë e lojës. Gjithashtu e kemi rastin ku e kemi një ministër të brendshëm që sulmonte gazetarët me emër e mbiemër por i cili u disiplinua aq shumë saqë asnjë deklaratë nuk guxoj të bëjë me orë të tëra dhe kur foli ishte shumë i matur dhe në kornizë, si me qenë nga Australi a jo një kosovar që sapo ja kanë vrarë kolegun. U aplikua një qasje jo-Ballkanike profesionale që nuk kishim parë më herët tek qeveria e Kosovës. U shmang tragjedia në Manastik, qytetarët lokal u ruajtën dhe pelegrinët nuk u përfshinë në incidente e luftime. Aq shumë elemente pozitive dhe krenarie për Kosovën kishte në këtë operacion thelbësor saqë me shekuj do të lëvdohen nga gjeneratat e ardhshme.
  7. Inteligjenca e Kosovës ka dështura dhe duhet të reformohet. Një mësim tjetër për sigurinë është dështimet në inteligjencë. Si ka mundësi që Serbia të fus aq shumë municion dhe armatim dhe të sillen me qindra paraushtark në territor të Kosovës e inteligjencat e Kosovës mos të jenë në dijeni. Kjo është e papranueshme dhe e rrezikshme për sigurinë kombëtare. Kësaj radhe mund të jemi ndihmuar, por strukturat e inteligjencës së Kosovës duhet të jenë shumë me të përgatitura dhe me kapacitet më profesionale që të jenë në gjendje t’i zbulojnë dhe parandalojnë ngjarjet dhe scenariot e tilla në faza të hershme. Ajo që u prezantua në veri, armatimi, infrastruktura, paraushtarakët … nuk është sjellë brenda ditës. Ky operacion ka ekspozuar një nevojë urgjente që inteligjencat e Kosovës duhet të reformohen dhe forcohen për të parandaluar një krizë të sigurisë kombëtare në të ardhmen. Kjo duhet të bëhet pa vonesë.
  8. Kufijtë e Ballkanit nuk do të ndryshojnë. Sikurse kjo ‘luftë e shkurtër’ në Zveçan të Kosovës ishte mes Perëndimit dhe Rusisë gjithashtu. Perëndimi që ka investuar për një koncept shumë-etnik në Kosovë dhe Ballkan dhe Rusia që ka mendësi të shek 19 dhe dëshiron shtete etnike dhe destabilitet në Ballkan. Nëse Rusia ka ndihmuar Serbisë të organizohet dhe të sulmojë Kosovën, Perëndimi e ka ndihmuar Kosovën të dekonspiroj dhe organizoj shkatërrimin e këtij operacioni. Ishte një luftë botërore që demonstroi që kufijtë e Ballkanit nuk ndryshojnë, aty ka vija të kuqe. Paqja dhe marrëveshjet duhet të gjinden në kufijtë aktualë dhe me konceptin perëndimor të shteteve shumë-etnike ashtu sikurse është investuar që gati 25 vite. SHBA dhe BE duhet të nxitojnë të fusin Kosovë në NATO dhe të anëtarësojnë të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian sa më parë e mundshme që të sigurohet paqja dhe stabiliteti afatgjatë në rajon. Vetëm ekonomia dhe investimet si dhe rritja e mirëqenies stabilizon Ballkanin. Izolimi dhe varfëria gjithmonë sjellin kriza dhe tensione politike përfshi lufta.

Përfundimisht, e diela e 24 shtatorit, e Diela e Zezë, ishte data më thelbësore që determinoj shumë gjëra përfshi që na dhuroj disa mësime dhe garanci për Kosovën si dhe vendosi Vijat e Kuqe për Serbinë. Nuk ka ndarje të Kosovës e as zbatim me forcë të Asociacionit. Ka Asociacion të Komunave Serbe por nën Sovranitetin dhe Integritetin territorial të Kosovës. Tash është koha pa vonesë të fokusohemi arritja e Marrëveshjes Finale se loja tashmë ka përfunduar. Zotërat kanë folur!

Të ngjashme