Mësimi në shkollën “Meto Bajraktari” po zhvillohet normalisht, masat po respektohen në përpikëri

Prishtinë | 18 Sht 2020 | 11:18 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në shkollën “Meto Bajraktari”, në kryeqytet masat anti-Covid po respektohen si nga  nxënësit po ashtu edhe nga mësimdhënësit, raporton Ekonomia Online.

Nxënësit të rreshtuar para objektit të shkollës kanë pritur që të masin temperaturën një nga një. Ata ishin të pajisur edhe me maska dhe në çdo klasë gjendeshin dezinfektues.

Drejtoresha e shkollës Zana Zeqiri, tha për Ekonomia Online se procesi mësimor është duke shkuar shumë mirë edhe përkundër faktit se është java e parë që mësimi zhvillohet në këtë formë.

“Edhe si shkollë në përgjithësi gjithçka ka funksionuar mirë. Edhe prindërit i respektojnë rregullat. Edhe fëmijët vijnë vet rreshtohen duke respektuar masat. Java e parë është premtuese. Të shohim në javën tjetër sepse javën e ardhshme do të kemi fluks më ta madh të fëmijëve.  Përgaditjet janë bërë dhe i gjithë stafi është mobilizuar. Kjo javë është për ti falenderuar prindërit dhe mësimdhënësit të cilët me gjuhën paraprake janë mobilizuar edhe në takime. Mund të them që nuk kemi sfida të mëdha. Kjo javë po përmbyllet dhe sfidat na presin javën tjetër”, shtoi Zeqiri.

Ajo tha se nuk ka rrezik për momentin sa i përket Coronavirusit, duke shtuar se vetëm dy fëmijë kanë qenë me temperaturë.

Mirëpo, sipas Zeqirit  kanë marrë rezultatet nga prindërit se fëmijët kanë pasur vetëm ftohje.

“Për momentin nuk ka rrezik derisa po respektohen rregullat. Është një kënaqësi e madhe kur i she të vegjëlit patosat edhe yllkat që i respektojnë rregullat . Mësimdhënësit nuk janë testuar. Ata i bëjnë testet në mënyrë personale. Në kuadër të secilës shkollë funksionon task forca dhe dhe janë ekipet punuese dhe vet fakti i vëzhgimit në këtë javë kemi pasur dy nxënës të cilët kanë pasur temperaturë. Mirëpo prindërit na kanë sjellur rezultatet se kanë pasur vetëm ftohje, po flasim për fëmijët e ciklit të ulët dhe gjendja është nën kontroll”, shtoi ajo.

Mësimdhënësja Hilmije Zogiani tha se në këtë shkollë janë bërë të gjitha përgatitje me kohë dhe se nxënësve në baza ditore u matet temperatura dhe kontrollohen a po i respektojnë masat.

“Është duke u punuar shumë dhe jemi mobilizuar të gjithë në mënyrë që procesi mësimor të fillon dhe përfundon mbarë e mirë”.

“Të shohim tash çka do të ndodhë në vjeshtë. Unë kam dalë më herët në oborr për klasë të para masim temperaturën në mënyrë që procesi mësimor të shkojë mirë. Po respektohen masat”.

Përderisa nxënësit shprehin mendime të ndryshme për fillimin e procesit mësimor. Endi Berisha tha se kanë filluar të mësojnë shkronjat dhe se nuk po frikësohet nga virusi.

“Ne mësojmë shkronjat. Ne kemi mësua matematikë për rrethin dhe katrorin. Po i respektojë masat edhe jemi shumë të dashur me mësuesen tonë. Nuk kam frikë nga virusi”

E nxënësja tjetër Eda Mikullvci thotë se në ditën e parë kanë mësua të lexojnë.

“Na kemi mësuar për të lexuar dhe matematikën rrethin dhe katrorët. Tash po më vjen më lehtë me mësuar”.

Kurse Lorena Krasniqi thotë se po i respekton masat, por që potencon se ka frikë nga virusi.

“Unë jam e kënaqur me procesin mësimor. Sepse ditën e parë kemi mësua me lexuar abetaren. Po i respektoj dhe po kam pak frikë”.

Më 14 shator mësimi ka filluar në të shkollat fillore dhe të mesme në vend, me dy javë vonesë. Mësimi po zhvillohet në grupe me numër të kufizuar të nxënësve nëpër klasa.

Të ngjashme