Cristiano Ronaldo do të luajë në finalen e Kievit gjithsesi.
Përdredhja që Ronaldo e pësoi në nyjën e këmbës së djathtë të dielën mbrëma në “El Clasico” kundër Barcelonës nuk është serioze fatmirësisht për tifozët e Real Madridit dhe trajnerin Zinedine Zidane, të cilët u tronditen kur e kanë portugezin duke çaluar menjëherë pas golit të shënuar në barazimin 2-2.
Cristiano u trajtua për disa minuta jashtë fushe dhe u kuptua se do të mund ta vazhdonte ndeshjen, duke qenë se dhimbja ishte e durueshme. Megjithatë, gjatë pushimit mes pjesëve mjekët e Realit e kuptuan se nëse Ronaldo do ta vazhdonte ndeshjen në pjesën e dytë, do të rrezikohej paraqitja e tij në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Liverpoolit më 26 maj në Kiev.
E përditshmja spanjolle “AS” raporton se në kampion e klubit madrilen është mësuar se portugezit do t’i duhet më pak se një javë për t’u riaftësuar. Prandaj, ai do ta humbasë ndeshjen e së mërkurës kundër Sevillës, si dhe atë kundër Celta Vigos të shtunën.
Ai më gjasë do të paraqitet kundër Villarrealit në ndeshjen e fundit në La Liga. Kjo për ta mbajtur atë në formë dhe në mënyrë që mos ta humbë ritmin një javë para finales së madhe në Kiev.