Lionel Messi ka arritur shifrën e 350 golave të shënuara në La Liga, duke mbajtur Barcelonën me bilanc të qind për qind në kampionatin spanjoll.
Messi realizoi të dy golat, të shtunën, në fitoren 2:0 ndaj Alavesit, duke arritur në shifrën e 351 golave në La Liga, ndërsa humbi edhe një penallti, transmeton “Koha Ditore”.
“Kjo është një fitore që vazhdon të na forcojë”, ka thënë kapiteni i Barcelonës, Andres Iniesta.
Barcelona ka kaluar një verë mjaft të vështirë duke humbur një nga lojtarët kyç. Neymar është transferuar te Paris Saint-Germain për shifër rekorde prej 222 milionë eurosh.
Skuadra katalonjase kishte pasur telashe për të gjetur një zëvendësues për brazilianin. Por të premten përmirësoi gjërat duke zyrtarizuar transferimin e sulmuesit të ri francez Ousmane Dembele nga Borussia Dortmundi, për 105 milionë euro, plus bonuse.
Megjithatë, ai ende nuk ka firmosur kontratë me Barcelonën, kështu që Messi po vazhdon të ketë barrë të madhe për të udhëhequr sulmin e skuadrës katalonjase, e veçanërisht pas largimit të Neymarit dhe lëndimit të uruguaianit Luis Suarez. Messi shifrën e 351 golave e ka arritur në 384 ndeshje, që i bie një mesatare prej 0.91 golave për ndeshje. I dyti në listën e realizatorëve më të mirë në La Liga është portugezi i Real Madridit, Cristiano Ronaldo me 285 gola.
“Ne erdhëm në një periudhë ku njerëzit po thonë shumë gjëra për Barcelonën, dhe që mund të ketë ndikim negativ. Por skuadra ka treguar se nuk qëndrojnë ato fjalë. Ne kemi pasur disa momente të vështira, por i kemi kaluar ato. Tash kemi gjashtë pikë pas dy ndeshjeve dhe po ecim para”, ka deklaruar trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde.
Për Barcelonën të shtunën debutoi mesfushori brazilian Paulinho. Ai u aktivizua në minutën e 88-të në vend të Iniestas.