Përfundimi i kampionateve elitare në Europë përcakton jo vetëm trofetë e kampionëve kombëtarë, por edhe të parin trofe sezonal individual. Po flasim për “Këpucën e Artë” dhe kush tjetër më shumë sesa një “plesht” e meriton këtë vlerësim?
Argjentinasi i Barcelonës, Lionel Messi shpallet sërish fitues i saj, hera e 6 në total, pasi përfundoi sezonin me 36 gola, 3 më shumë sesa Kylian Mbappe i vendit të dytë, i cili e zhvilloi të premten ndeshjen e fundit në kampionat me Paris SG.
Numri 10 i Barçës pasuroi kështu “palmares”-in e tij personal me trofeun e gjashtë në karrierë, dy më shumë sesa rivali i tij i përjetshëm dhe ndjekësi më i afërt, Cristiano Ronaldo, i cili si rrallëherë ka mbetur jashtë 10-shes së golashënuesve më të mirë në vitet e fundit.
Këtë trofe, në të kaluarën e kanë fituar emra prestigjiozë të futbollit, teksa me dy trofe përmendim Eusebio, Gerd Muller, Dudu Georgescu, Fernando Gomes, Ally McCoist, Mario Jardel, Thierry Henry, Diego Forlan dhe Luis Suarez.
Por, ky është viti i tretë radhazi që Messi bën të tijin këtë vlerësim, një tjetër rekord që prej krijimit të këtij trofeu në vitin 1968.
Më poshtë, 10 futbollistët që kanë shënuar më shumë këtë sezon.
10: Mohamed Salah (Liverpool), 22 gola, 44 pikë
9: Pierre-Emerick Aubameyang (Arsenal), 22 gola, 44 pikë
8: Sadio Mané (Liverpool), 22 gola, 44 pikë
7: Robert Lewandowski (Bayern), 22 gola, 44 pikë
6: Krzystof Piatek (Genoa dhe Milan), 22 gola, 44 pikë
5: Mbaye Diagne (Kasimpasa), 30 gola, 45 punti (koefiçenti i kampionatit turk është 1.5)
4: Duvan Zapata (Atalanta), 23 gola, 46 pikë
3: Fabio Quagliarella (Sampdoria), 26 gola, 52 pikë
2: Kylian Mbappé (PSG), 33 gola, 66 pikë
1: “Këpuca e Artë” 2018/19 për Lionel Messin (Barcelona): 36 gola, 72 pikë.