Kapiteni i Barcelonës, Lionel Messi, i doli në mbrojtje Philippe Coutinhos, pas ndeshjes kundër Liverpoolit, braziliani u fishkëllye nga vetë tifozët e klubit katalonas.
Philippe Coutinho nuk arriti ta dëshmojë veten në ndeshjen kundër ish-klubit të tij, Liverpoolit, të cilën Barcelona e fitoi me rezultat 3:0 dhe shkoi një hap më afër finales së Ligës së Kampionëve.
Braziliani u zëvendësua nga ndeshja në minutën e 60-të, kur trajneri Ernesto Valverde vendosi ta futë në lojë mbrojtësin Nelson Semedon në vend të tij.
Coutinho ka qenë i kritikuar nga tifozët në Camp Nou vazhdimisht gjatë javëve të fundit. Ai iu përgjigj këtyre kritikave me golin e shënuar kundër Manchester Unitedin, të cilin e festoi duke lënë të kuptohet se nuk i intereson për kritikat.
Por, problemet e Coutinhos u përsëritën edhe në ndeshjen e mbrëmshme në kuadër të gjysmëfinaleve të Ligës së kampionëve. Por, Messi beson se nuk ka asnjë arsye për ta kritikuar bashkëlojtarin e tij.
“Ne jemi në një moment vendimtar dhe ky nuk është momenti i duhur për ta kritikuar askënd. Tani është koha që t’i bëjmë realitet ato që i thamë në fillim të sezonit”, u shpreh Messi për Movistar Plus pas fitoren të së mërkurës.
“Është e shëmtuar ta shohësh një bashkëlojtar të fishkëllehet në atë mënyrë, ne duhet të jemi të gjithë së bashku dhe ta mbështesim njëri-tjetrin”.
Coutinho nuk ka arritur ta dëshmojë ende veten në Camp Nou, që kur u transferua nga Liverpooli në janar të vitit 2018 për 135 milionë euro.