Fitorja minimale 1:0 në Old Trafford është rezultat i mirë për Barcelonës, mirëpo Lionel Messi pësoi në një duel me mbrojtësin e Manchester Unitedit, Chris Smallingun. Argjentinasi pati vështirësi në frymëmarrje dhe me shikimin pas kësaj përplasjeje.
Qendërmbrojtësi i “Djajve të kuq”, Chris Smalling, ishte treguar optimist para ndeshjes për përballjen me pesë-herë fituesin e Topit të Artë, Lionel Messi, duke thënë: “Ma sillni atë këtu”.
Gjatë ndeshjes, e cila përfundoi me rezultat 1:0 për katalonasit, Smallingu e dëshmoi se me të vërtetë e kishte ndërmend ta ndalte argjentinasin, në çfarëdo mënyrë. Ai e gjakosi Messin në pjesën e parë, por gjyqtari Gianluca Rocchi as nuk i dha goditje të lirë Barcelonës për këtë ndërhyrje.
Përveç që në fushë ishte e qartë se po i rridhte gjaku nga fytyra, Messi e pësoi një blanë, e cila po i shqetëson katalonasit. Argjentinasi mori trajtim mjekësor në fushë menjëherë e pastaj ishte në gjendje për ta vazhduar lojën.
Sipas të përditshmes spanjolle, AS, ylli i Barcelonës nuk mbeti me hundë të thyer, mirëpo pati vështirësi me frymëmarrjen për shkak të lëndimit të ashtit të hundës. Si pasojë, ai u detyrua të merrte frymë përmes gojës.
Madje, lajmet e këqija nuk përfunduan këtu për Messin. AS raporton se lëndimi në vetull bëri që ai të mos shohë mjaftueshëm mirë me syrin e majtë.
Barcelona e mori këtë rezultat të mirë në “Old Trafford” përkundër paraqitjes jobindëse, pasi që “Djajtë e kuq” nuk u treguan aspak të saktë në fazën e sulmit. Ndeshja kthyese do të zhvillohet më 16 prill në Camp Nou.