Meta fton shqiptarët në shesh më 2 mars: Koha të shpëtojmë shtetin

Prishtinë | 28 Shk 2020 | 09:13 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, vijon thirrjet dhe ftesat përmes rrjeteve sociale, drejtuar shqiptarëve që t’i bashkohen manifestimit të thërritur prej tij më 2 mars, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Sipas tij, ka ardhur koha që populli të thotë fjalën e tij kundër atyre që ai i quan puçistë dhe që kanë shkelur Kushtetutën, shkruan A2 CNN.

Postimi i plotë i Ilir Metës:

Është koha të shpëtojmë shtetin e të gjithë shqiptarëve nga pengmarrësit e pushtetit! Ndaj në 2 mars zëri juaj duhet të dëgjohet si asnjëherë tjetër.

Çdo qytetar i vendit tonë duhet të kuptojë se kriza e tmerrshme institucionale, ekonomike e shoqërore, si dhe rritja e pasigurisë për të ardhmen, buron nga mungesa e ndërgjegjësimit tonë si shoqëri për domosdoshmërinë e mbrojtjes së Kushtetutës nga politikanët që për më shumë pushtet i venë kazmën themeleve të shtetit, si përmes ndërhyrjeve të nxituara dhe jo transparente, ashtu edhe përmes bërjes së ligjeve anti-kushtetuese që minojnë sundimin e Kushtetutës dhe shtetit ligjor, siç është bërë traditë sidomos në vitet e fundit.

Është koha që Sovrani të thotë fjalën e tij ndaj këtyre puçistëve që nxjerrin ligje për të shkelur dhe dhunuar Kushtetutën e Republikës. Është koha të shpëtojmë shtetin e të gjithë shqiptarëve nga pengmarrësit e pushtetit! Ndaj në 2 mars zëri juaj duhet të dëgjohet si asnjëherë tjetër.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme