Meta i kërkon Junckerit heqjen sa më të shpejtë të vizave për kosovarët

Prishtinë | 26 Shk 2018 | 16:52 | Nga

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta priti delegacionin e lartë të Komisionit Evropian, të kryesuar nga Presidenti i Komisionit, Jean-Claude Juncker, me pjesëmarrjen e Komisionerit për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn.

Në takim, Meta, përveçse e vlerësoi si shumë të rëndësishme dhe inkurajuese këtë vizitë për Shqipërinë, kërkoi nga ky delegacion heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës sa më shpejtë që të jetë e mundur.

“Duke u ndalur te zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, Meta inkurajoi heqjen sa më parë të regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës, me besimin se Marrëveshja për Demarkacionin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi do të përmbyllet së shpejti me sukses”, thuhet në njoftimin për media të Presidencës shqiptare, raporton Koha.net.

Ndër të tjera, presidenti Meta evidentoi faktin se të gjitha forcat politike parlamentare në vend ndajnë të njëjtin synim madhor për integrimin e plotë të Shqipërisë në BE, dhe bashkohen në dëshirën për çeljen sa më parë të negociatave të anëtarësimit.

Kreu i Shtetit shpreson se falë përpjekjeve të përbashkëta mes Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, vendet anëtare do të binden për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë gjatë Presidencës Bullgare, gjatë këtij 6-mujori.

Duke theksuar rëndësinë që ka zbatimi i reformave në 5 prioritetet kyçe, Presidenti Meta vlerësoi se rezultatet janë ato që do të rrisin besueshmërinë si te qytetarët shqiptarë ashtu edhe tek vendet anëtare të BE-së.

Presidenti ndau të njëjtën bindje mbi rëndësinë që ka forcimi i rolit stabilizues të Shqipërisë në rajon. Meta siguroi se mbetet konsekuent në rolin e tij konstruktiv dhe të dobishëm për përparimin e marrëdhënieve dypalëshe me të gjitha vendet e rajonit, duke nënvizuar rëndësinë që ka frenimi dhe dekurajimi i politikave populiste në dëm të proceseve integruese dhe atyre të paqes në Ballkanin Perëndimor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme