Meta krah Kryemadhit në ceremoninë e vendosjes së bustit të Skënderbeut në Budapest

Prishtinë | 05 Kor 2021 | 13:21 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, kanë marrë pjesë në ceremoninë e vendosjes së përmendores së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti në Budapest.

Meta tha në rrjete sociale se rrënjët e miqësisë midis dy popujve gjenden në lidhjet legjendare të Kastriotit dhe të Huniadit.

Ai shtoi se ashtu si në kohën e tyre Hungaria mbetet një mbështetëse e palëkundur e integrimit europian të Shqipërisë dhe ne i jemi thellësisht mirënjohës.

“Me shumë kënaqësi dhe emocion të veçantë, mora pjesë sot, me ftesë të Presidentit Ader, në ceremoninë e vendosjes së përmendores së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në Budapest.

Rrënjët e miqësisë midis dy popujve tanë gjenden në lidhjet legjendare dhe aleancën strategjike të Heroit tonë Kombëtar me Prijësin ushtarak dhe drejtuesin e spikatur të Hungarisë dhe të mbarë Europës Qendrore, Janosh Huniadi, të dy mburoja të vlerave dhe të traditave të qytetërimit, por edhe të identitetit tonë europian.

Ashtu si në kohën e aleancës së Kastriotit dhe të Huniadit, Hungaria mbetet një mbështetëse e palëkundur e integrimit europian të Shqipërisë dhe ne i jemi thellësisht mirënjohës. Jam i bindur se fryma e miqësisë dhe e bashkëpunimit të shkëlqyer tradicional historik midis dy vendeve dhe popujve tanë do të forcohet pa u ndalur në të ardhmen”, ka shkruar Meta./abcnews

Të ngjashme