Një ditë pasi priti Lulzim Bashën në zyrën e tij, Ilir Meta ka ripërsëritur ftesën për palët politike që të ulen në dialog dhe të pranojnë që 13 Tetori të jetë data e zgjedhjeve parlamentare, lokale e presidenciale.
“Nuk mund të vazhdohet më të ecet në dy rrugë të kundërta, që nuk takohen me njëra-tjetrën: në një anë atë të kapjes së çdo institucioni, çdo zyre dhe çdo vendi pune dhe atë të delegjitimimit të çdo institucioni nga ana tjetër. Të dy palët duhet t’u krijojnë mundësinë të gjithë qytetarëve shqiptarë, që në mënyrë të qetë, civile dhe demokratike të shprehin sovranitetin e tyre për të gjitha institucionet, vendore dhe qendrore, përfshi dhe Presidentin nga populli, në 13 Tetor”.
E gjitha kjo sipas kreut të shtetit duhet bërë për hir të së ardhmes europiane të vendit, sidomos në prag të vendimit për çeljen ose jo të negociatave.
“30 Qershori iku si një datë e përbashkët vetëm kalendarike. Përpara kemi një datë tepër të rëndësishme, për ne dhe të ardhmen e vendit tonë, 17-18 Tetor 2019, kur Këshilli i Bashkimit Europian do të marrë një vendim për çeljen ose jo të negociatave me Shqipërinë. Koha është tani! Në 19 tetor do të jetë shumë vonë!”
13 Tetori është dekretuar nga Meta si datë e zgjedhjeve lokale, por ende nuk dihet fati i kësaj date pasi socialistët njohin si legjitime zgjedhjet e 30 Qershorit ku fituan 60 nga 61 bashki, ndërsa opozita ende nuk ka një qëndrim të qartë lidhur me dekretin e ri të kreut të shtetit./tvklan.al/