MF-ja merr sugjerime edhe nga AKB-ja për Pakon Fiskale 2.0

Prishtinë | 23 Jan 2017 | 13:12 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në vazhdën e diskutimeve me komunitetin e biznesit për Pakon Fiskale 2.0 Ministria e Financave ka organizuar sot takim diskutimi me përfaqësuesit e Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), ku u theksua se krijimi dhe promovimi i politikave më të favorshme fiskale është parakusht për zhvillimin e bizneseve dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Ministri Hoti duke falënderuar përfaqësuesit e AKB-së për bashkëpunimin e deritanishëm, e në veçanti në këtë proces të diskutimit të politikave të reja fiskale tha se “qëllimi i këtij takimi është që ne të prezantojmë para juve disa masa të reja të Pakos Fiskale që i kemi aprovuar në Qeveri në dhjetorin e vitit që shkoi dhe të marrim nga ju sugjerimet shtesë për të plotësuar këto masa”.

Ai paraqiti shtatë masat të cilat do të paraqiten në qeveri për Pakon e dytë Fiskale.

“ Masa e parë e kësaj pakoje është zgjerimi i listës e cila ka 47 milionë euro më pak ë hyra buxhetore, por që ka një rritje prej 20% të imputit të lëndës së parë. Pastaj si masë e dytë është heqja e mazutit e cila përdoret nga prodhuesit vendor, masa e tretë është ndryshimi dhe plotësimi i normës së TVSh-së nga 0-8%. Pastaj është edhe udhëzimi administrativ për pushimet tatimore, si masë e pestë është edhe një pikë që është kërkuar nga oda ekonomike e Kosovës e cila është vendosja e banderolës në produktet e miellit për luftimin e informalitetit. Pika e gjashtë është humbja e peshës së produkteve gjatë kohës së transporti dhe pika e shtatë të cilën e kemi parapa është krijimi i kodeve të reja doganore për produktet kosovare”, ka thënë Hoti.

Ai shtoi se përveç këtyre shtatë masave që kanë kaluar në Qeveri në dhjetor të vitit që shkoi, ne kemi marrë edhe propozime të tjera nga diskutimet që kemi pasur deri më tani me përfaqësuesit tjerë të bizneseve.  Sipas tij, pas përfundimit të konsultimeve me gjithë komunitetin këto masa do të dërgohen në Qeveri për aprovim.

I pari i AKB-së, Agim Shahini, tha se krijimi i politikave të reja fiskale ndihmon sektorin e prodhimit në Kosovë, zhvillimin e tij por edhe në uljen e informalitetit, i cili është shumë i lartë në Kosovë.

“Po ashtu ndryshimi i politikave  fiskale përmes pakos 2.0  dhe konsultimet që po bëni ju si Ministri dëshmojnë edhe njëherë përkushtimin e Qeverisë që prodhimi vendorë të jetë konkurrues edhe në tregun e jashtë”, shtoi Shahini.

Ai me tej theksoi se kërkesat kryesore të AKB-së për përfshirjen në këtë listë të politikave të reja fiskale janë heqja e akcizës në pijet jo-alkoolike, si dhe funksionimi sa më shpejtë i Bordit të Pavarur për Rishqyrtimin e Ankesave të tatimpaguesve.

“Për ne si AKB, është më se e domosdoshme riaktivizimi i një bordi të tillë, i cili do të ndihmonte edhe Administratën Tatimore, Doganë, si dhe  Ministrinë e Financave”.

Shahini ka kritikuar Doganën dhe ATK-në për shkelje të Ligjit që po bëjnë ndaj bizneseve.

“Kosova ka kapacitet për fabrikat e përpunimit por jo edhe të prodhimit. Prodhim për lëndë të parë nuk kemi. Por më duhet të them se Dogana së bashku me ATK-në kanë shkelur ligjin kundrejt bizneseve. Pikë tjetër që mund të them është edhe falja e borxheve është një hap i mirë, por propozoj afat për faljen e borxheve, mirëpo kërkohet heqja e kushteve për faljen e borxheve”, ka thënë Shahini.

Sylejman Konushevci, drejtor i kompanisë për paketimin e vajit “Bio Oil”, ka thënë se shteti i Serbisë nuk po i lë produktet kosovare që të zhvillohen. Sipas tij, Serbia po i shkel prodhuesit dhe bizneset kosovare me 5 deri në 10%.

“Prodhuesit kosovarë po shkelen nga vendet e regjionit. Serbia neve po na shkel nga 5 deri 10% të kostos në treg. Ky shtet neve po na shkel prodhimet e tona. Përpos këtij dëmtimi neve edhe kompanitë tregtare janë duke na dëmtuar, sepse për të pasur produkte tona ata kërkojnë që ne të paguajmë raftet, të paguajmë vendin se ku vendosim për tu parë këto produkte. Në përgjithësi si biznese jemi të dëmtuar”, ka thënë Konushevci.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka shprehur gatishmërinë e saj duke thënë se në planin e vitit 2017 kanë plotësim-ndryshimin e Ligjit për Tregti të Brendshme, “e që disa gjëra mund të ndryshohen në bazë të këtij ligjit”.

“Ne jemi duke punuar së bashku në këto masa lehtësuese për bizneset në Kosovë me qëllim që të kenë një tretman të barabartë në tregun e brendshëm dhe atë të jashtëm. Por, jo vetëm kaq ne do të jemi në vazhdimësi përkrah bizneseve edhe me masat tjera kundër informalitetit, i cili po dëmton bizneset e vendit tonë”, tha ajo.

akb

Të ngjashme