Ministria e Financave, nëpërmes një komunikate për shtyp, të dielën, ka lavdëruar kreun e kësaj ministrie Bedri Hamza se prejse e ka marrë detyrën ka dëshmuar menaxhim transparent të financave publike, rikthim të qëndrueshmërisë fiskale dhe se ka arritur që shtetit të Kosovës t’i sjellë në formë të granteve shumën prej 73 milionë e 886 mijë euro.
“Ministri i Financave, Bedri Hamza, në këtë 6-mujor të mandatit të tij, duke e dëshmuar menaxhim transparent të financave publike, rikthimin e qëndrueshëm fiskal përmes Buxhetit të vitit 2018, duke respektuar Rregullën Fiskale, deficitin buxhetor dhe duke marrë vendime në funksion të përmirësimit të ambientit të bërit biznes përmes vendimeve, të cilat janë në fuqi nga 1 janari 2018 për lirim nga tatimi doganor dhe akcizës, si dhe masave të tjera të reja fiskale të planifikuara për të ardhmen, ka arritur që shtetit të Kosovës t’i sjellë në formë të garantëve shumën prej 73 886 000 euro”, thuhet në komunikatën e MF, dërguar medieve.
“Kjo shumë e mjeteve e cila i është dhënë Ministrisë së Financave, në emër të shtetit të Kosovës, për arsye të seriozitetit të treguar profesional dhe transparent, do ta ndihmojë zhvillimin e ekonomik të vendit tonë, që është edhe synim i Ministrisë së Financave, që bartës i zhvillimit ekonomik të jetë sektori privat”, thekson MF.