Fondacioni i Mijëvjeçarit i Kosovës sot mbajti dy sesione informative në Mitrovicë. Me pjesëmarrje të madhe të studenteve nga Mitrovica, MFK prezantoi programin e bursave“Gratë në Energji”. Përmes këtij programi, 25 vajza dhe gra kosovare do të kenë mundësi të përfitojnë bursa me mbulim të tërësishëm të studimeve dhe qëndrimit 2-vjeçar në Iowa të ShBA dhe kolexhe tjera te akredituara.
Petrit Selimi, drejtori ekzekutiv i MFK, në hapjen e sesionit e parë në Universitetin e Mitrovices “Isa Boletini”, tha se ky program synon të krijojë një gjeneratë të re të grave lidere në sektorin e energjisë. Selimi prezentoi edhe planin shumë-degësh të MFK-së për avancimin e grave në këtë sektor përmes punës praktike në sektorin e energjisë, bursa “Gratë në Energji”, kampit veror për shkencë, “Girls STEAM Camp” për vajzat e shkollës së mesme, si dhe programit të granteve për gratë ndërmarrëse.
Violeta Krasniqi Rexha, specialiste për përfshirje gjinore dhe sociale, tha se programi i bursave “Gratë në Energji”, është aktiviteti i parë nga MFK që ka për qëllim inkurajimin e vajzave dhe grave që të jenë prezente në sektorin e energjisë. Ndërkaq, për programin e ardhshëm për gratë ndërmarrëse, ajo tha se ky program do të aspirojë t’i ndihmojë gratë që ta ulin koston e veprimtarisë së tyre ndërmarrëse përmes uljes së kostos së energjisë.
Në fund, Gresa Statovci, konsulente për punë praktike dhe bursa nga MFK përmbylli këtë sesion duke prezantuar detajisht të gjitha informacionet lidhur me procesin e aplikimit për bursa.
MFK vazhdoi turneun e informimit të grave dhe vajzave rreth këtyre bursave edhe në komunën e Mitrovicës së veriut, në International Business College Mitrovica (IBCM), me pjesëmarrje të studenteve, nxënëseve dhe grave nga komuniteti serb.
Gjatë javëve të ardhshme, turneu informativ për programin e bursave “Gratë në Energji” do të vazhdojë udhëtimin në qendrat tjera të Kosovës. Turneu informativ organizohet në bashkëpunim me organizatën jo-qeveritare ARDA-RDA Qendër.