Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës(MFSK), Haki Demolli ka pritur sot në një takim ambasadorin e ri në detyrë të Republikës së Francës në Republikën e Kosovës, Didier Chabert.
Fillimisht, ministri Demolli i dëshiroi punë të mbarë dhe mision të suksesshëm ambasadorit francez në Republikën e Kosovës, dhe më pas i shprehu falënderimin e tij për bashkëpunimin e mirë me Ambasadën e Francës, duke çmuar lart kontributin e kontingjentit të Francës në kuadër të KFOR-it dhe gjithë interesimin dhe angazhimin që ka treguar Franca si njëra ndër shtetet e para që njohu pavarësinë e vendit tonë.
Ministri Haki Demolli, duke vlerësuar rolin dhe ndikimin e shtetit të Francës në rrjedhat e përgjithshme politike, ushtarake dhe të sigurisë në Evropë tha se, mbështetja dhe përkrahja e Francës për Kosovën në drejtim të ndërtimit dhe funksionalizimit të sektorit të sigurisë, me theks të veçantë transformimi i FSK në Forca të Armatosura të Kosovës, është më se i nevojshëm nëpërmjet mekanizmave të fuqishëm që posedon Franca aktualisht kudo në organizatat me peshë të organizimit evropian e më gjerë.
Në fund, ministri Demolli gjithashtu i shprehu ambasadorit francez interesimin e Kosovës dhe MFSK-së që të iniciohet dhe zhvillohet procesi për formatizimin e bashkëpunimit ndërmjet MFSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Francës me Memorandum Bashkëpunimi, sikurse që MFSK-ja e ka aktualisht me 12 shtete anëtare të NATO-s dhe vende tjera, siç janë Britania e Madhe, Ajova(SHBA), Gjermania, Hungaria, Kroacia, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi etj.
Nga ana e tij, ambasadori i Francës në Prishtinë, Didier Chabert u shpreh jashtëzakonisht i interesuar për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit, si dhe për përkrahjen e tij në aktivitetet dhe planet në të ardhmen. Ai tha se ashtu siç e kemi njohur pavarësinë e Kosovës, si një ndër shtetet e para, ashtu do të vazhdojmë ta mbështesim edhe në zhvillimin e saj demokratik e të qëndrueshëm.