Windowsi fillimisht ishte shumë agresiv në lansimin dhe zbatimin e azhurnimeve për Windows 10, ndërsa azhurnimet e panevojshme dhe të padëshiruara ishin të pamundura për t’u shmangur nëse nuk përdoren veglat eksterne (siç është ShutUp10), raporton TechSpot.
Derisa nuk ka asgjë të keqe me azhurnimet e rregullta të sistemit operativ, tek arnimet e Windows 10 në shumë raste ka ndodhur që azhurnimet të shkaktojnë më shumë dëm sesa dobi, shkruan KOHA Ditore. Bagët e ndryshëm, lëshimet e sigurisë, ndërprerja e punës së aplikacioneve, resetimi i sistemit, ngrirja BSOD dhe problemet e tjera shpesh shfaqen pas azhurimeve të Windows 10.
Për fat të mirë, Microsofti si duket është i vetëdijshëm që disa përdorues të platformës do të donin të kishin më shumë kontroll mbi atë se si i marrin azhurnimet e Windows 10.
Në blog postimin më të ri, Microsofti i ka paralajmëruar planet për ndarjen e azhurnimeve opsionale të Windows 10 nga arnimet kritike të sigurisë. Arnimet do të aplikohen në seksionin e ri të Windows Update, të emërtuar “View optional updates”. Lista do t’i përfshijë azhurnimet kryesore, azhurnimet e drajverëve dhe arnimet e tjera mujore të cilat nuk kanë lidhje me sigurinë e sistemit.
Kjo ndarje midis azhurnimeve të sigurisë dhe atyre opsionale pritet të jetë pjesë e azhurnimit Windows 10 “20H1”, i cili është planifikuar për vitin 2020. Anëtarët e programit Windows Insider mund ta testojnë atë tani, në kuadër të versionit Preview Build 18985.