Miftaraj reagon pas sulmeve nga pushteti ndaj prokurorëve: Kushtetuta e Kosovës nuk e duron një sjellje të tillë!

Prishtinë | 20 Pri 2023 | 12:49 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka thënë se targetimi i prokurorëve dhe gjykatësve nga pushteti është veprim i shëmtuar.

Në një reagim në Facebook, Miftaraj ka thënë se kjo është sjellje e papranueshme dhe e dëmshme.

“Kushtetuta e Kosovës nuk e duron një sjellje të tillë. Veprim kundër vlerave që i kërkon sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë”, ka theksuar Miftaraj.

“Dobët, shumë shumë dobët”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një fjalim në foltoren e Kuvendit të Kosovës, nuk ka mundur të përmbajë inatin ndaj kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, një ditë pas arrestimit të kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, nga Policia e Kosovës nën dyshimin për keqpërdorime në disa tenderë, një prej tyre 3.4 milionë euro.

Isufaj, nga viti i kaluar është propozuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për kryeprokuror të Shtetit.
Edhe pse nuk është kompetencë e tij, Kurti ka thënë se Isufaj kurrë nuk do të bëhet kryeprokuror.

“Nagip Krasniqi është në burg. Dënim me vdekje në Kosovë nuk ka dhe ai me siguri e sheh në TV këtë gëzim opozitar për arrestimin e tij. Nuk është hera e parë që kemi gëzim në Kuvend për njerëzit që janë në burg. Le t’i jepet fjala drejtësisë, le të shohim procedurat normale profesionale, mirëpo emri kundërshtimit të ndryshimit të madh në Kosovë është Blerim Isufaj. Ky është thelbi i çështjes, të tjerat janë pasoja. Nuk është e rastësishme që prokurorët që vrasjen e bëri vetëvrasje, e vetëvrasjen vrasje, përkundër vullnetit dhe qëndrimit të Presidentes, krye parlamentarit, kryeministrit duan me patjetër të bëhen kryeprokuror, por nuk do të munden. Nuk do të munden. Jo sepse jam unë, jo sepse jeni ju. Në këtë shtet ka Republikë edhe popull”, ka thënë Kurti.

Në Prokurorinë e Shtetit, sipas Kurtit ekziston një disponim negativ politik ndaj Qeverisë së udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas tij, Blerim Isufaj është kundër fitores së 14 shkurtit.

Në vazhdim Kurti ka “rrëmuar” pak edhe në biografinë e Isufajt. “Bëhet fjalë për një kryeprokuror i cili është i mirënjohur në skenën tonë publike që në rastin e vrasjes së ish-shefit të AKP-së, Dino Hasanaj e kategorizojë si vetëvrasje ndërkaq rastin e vetëvrasjes së ish-drejtorit të informimit në Kryeministri, Hamdi Sopa e shndërrojë në vrasje”.

Sipas Kurtit, Isufaj po dëshiron të bëhet kryeprokuror i shtetit përkundër vullnetit të presidentes, kryeparlamentarit dhe kryeministrit.

“Është siklet i madh dhe është mbështetje e madhe për një njeri i cili përkundër tre krerëve shtetëror përkundër përvojës së hidhur që ka i gjithë vendi me të dëshiron të bëhet kryeprokurorë”.

Edhe dje, deputetë e anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje sulmuan personalisht Blerim Isufajn, pasi ai ndodhet në krye të Prokurororisë e cila dha urdhër për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi. Krasniqi dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ushtrim të ndikimit dhe për konflikt interesi. Ai dyshohet për disa kontrata milionëshe të dhëna pa publikim të tenderit.

Të ngjashme