Milani raportohet se ka arritur marrëveshje për huazimin me opsion blerjeje të anësorit të Nottingham Forestit, Omari Hutchinson, dhe tani po nxiton ta organizojë testin mjekësor të lojtarit.
Mbrëmë, si “Mail Sport” ashtu edhe “Sky Sport Italia” kishin raportuar se “Rossonerët” kishin kontaktuar përfaqësuesit e lojtarit për të mësuar nëse ai ishte i gatshëm për një transferim.
Tani, Fabrizio Romano raporton se situata ka avancuar me shpejtësi, pasi dy klubet kanë arritur një marrëveshje verbale.
Gianluca Di Marzio i “Sky Sport Italia” bën të ditur se bëhet fjalë për një huazim me pagesë dhe me opsion blerjeje, i cili mund të shndërrohet në detyrim blerjeje nëse plotësohen disa kushte të caktuara.
Marrëveshja pritet të jetë një huazim deri në fund të sezonit, me opsion blerjeje për 22-vjeçarin.
Nottingham Foresti e bleu Hutchinsonin nga Ipswich Town verën e kaluar për 43.4 milionë euro, duke i ofruar kontratë deri në qershor të vitit 2030.
Megjithatë, ai realizoi vetëm një gol dhe pesë asistime sezonin e kaluar, një bilanc zhgënjyes duke marrë parasysh shumën e shpenzuar për të.
Hutchinson nuk ishte as në stolin e Nottingham Forestit në barazimin 2-2 të sotëm ndaj Liverpoolit në Premierligë dhe tashmë duket se po përgatitet për udhëtimin drejt Italisë.
Anësori është i aftë të luajë në të dyja krahët dhe mund të zëvendësojë Rafael Leaon, i cili sot u nis drejt Turqisë për të kompletuar transferimin te Galatasaray, në një marrëveshje prej 43-45 milionë eurosh plus bonuse.