Ëndrra e Milanit që të kthehet në elitën evropiane të futbollit duket më e largët se kurrë, pasi lojtarët kanë treguar një paraqitje, siç është përshkruar nga vetë drejtori i klubit si “turpëruese”, në humbjen 5:0 ndaj Atalantas të dielën.
Kampioni i shtatëfishtë i Evropës ishte inferior në çdo repart, ndërsa ka arritur në pushim të Krishtlindjes në vendin e 11-të në Serie A, një pozitë e zakonshme për të në stinorët e fundit dhe është e vështirë të parashikohet se cili do të jetë hapi i radhës, shkruan sot Koha Ditore.
“Performanca nuk ishte aty”, ka thënë drejtori i Milanit, Zvonimir Boban, një ish-futbollist i skuadrës. “Më lëndon shumë, ishte e turpshme, ky nuk mund të jetë Milani. Ishte shumë e dhimbshme të shihje dominimin e Atalantas”.
Humbja nga Atalanta ishte vetëm e katërta për Milanin me pesë gola dallim dhe e para që nga viti 1998.
Milani ka pasur tetë trajnerë dhe ka ndryshuar dy herë pronarët qëkur së fundi ka fituar titullin e Serie A në vitin 2011, që ishte hera e 18-të. Nuk ka marrë pjesë në Ligën e Kampionëve që nga stinori 2013-14.