Gjiganti italian Milan është në mesin e katër klubeve që kanë shprehur interesim serioz për ta transferuar talentin kosovar të Bayern Munich, Leon Dajaku, sipas Goal dhe SPOX.
Sulmuesi 19-vjeçar Dajaku u lind të Gjermani nga prindër me prejardhje nga Kosova.
Union Berlin, Cologne dhe Nice shpresojnë se do të mundë ta afrojnë Dajakun në këtë afat kalimtar. Të gjitha katër klubet dëshirojnë të arrijnë marrëveshje me Bayernin për huazimin e tij me mundësi për ta blerë.
Por Dajaku është i gatshëm të largohet nga kampioni gjerman vetëm për kohë të shkurtër, sa për të fituar përvojë në mënyrë që të zërë vend në ekipin e parë bavarez.
Dajaku iu bashkua Bayernit nga Stuttgart në vitin 2019 dhe që prej atëherë kryesisht ka luajtur për ekipin rezervë, i cili bën gara në kategorinë e tretë të futbollit gjerman.
Ai debutoi shkurtimisht në Bundesligë sezonin e kaluar, ndërsa paraqitja e parë e tij për ekipin e parë këtë sezon ka qenë 30 minuta lojë kundër FC Duren në rrethin e parë të Kupës së Gjermanisë.
Edhe pse Milani dhe klubet e tjera të interesuara e duan atë përherë, Dajaku është i gatshëm të largohet vetëm në huazim.
Ndërkohë, edhe Kosova shpreson se do ta bindë 19-vjeçarin të heqë dorë nga Kombëtarja e Gjermanisë dhe ta përfaqësojë ekipin kombëtar dardan në arenën ndërkombëtare.
Dajaku ka luajtur për ekipet kombëtare gjermane U16, U17 dhe U18 deri tani.