Ministrja e Mbrojtjes në Republikën e Shqipërisë, Mimi Kodheli, është shpallur Qytetare Nderi e Drenasit, në një seancë solemne të Kuvendit të Komunës.
Dekretin e shpalljes së Qytetare Nderi e Komunës, e ka lexuar kryesuesi i Kuvendit, Naim Bazaj, dhe motivacionin e shpalljes.
“Zonja e nderuar, Mimi Kodheli shpallet Qytetare Nderi e Komunës për kontributin e çmuar dhe përkrahjen e pakursyer për çlirimin e Kosovës dhe mbështetjes së vazhdueshme për fuqizimin e shtetësisë së Kosovës dhe vënien e interesave të Kosovës në agjendat integruese euro-atlantike. Për personalitetin e fuqishëm motivues dhe inspirues të lartësimit të gruas shqiptare në Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës dhe të fuqizimit të saj duke qenë në vendimmarrje. Dëshmoi me angazhimin e saj të pashoq se gruaja shqiptare denjësisht ka promovuar dhe lartësuar vlerat kombëtare”, ishte ky motivacioni i dekretimit të Kodhelit, lexuar nga Bazaj.
Në fjalën e tij, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, tha se ka nderin të prezantojë para qytetarëve të Drenasit, propozimin tim të miratuar me vota unanime në Asamblenë komunale të Drenasit, ta shpallë dhe japë sot titullin qytetare nderi për ministren e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, zonjën Mimi Kodheli.
“Ju, me përkushtim të pashoq, keni lartësuar Shqipërinë, Kosovën dhe kombin shqiptar. Keni argumentuar fuqinë e barazisë gjinore, dëshmuat aftësinë e gruas shqiptare në politikë dhe vendimmarrje. Vendi i rezervuar për burrat e Shqipërisë, për Ministrinë e Mbrojtjes, me dinjitet e udhëhiqni, si grua që eci gjurmë vetë paraardhëseve tuaja që historia jonë është aq e begatë dhe krenare. Ju keni vijuar rrugën e grave të shquara të kombit, si Ministre shqiptare në NATO, duke prezantuar kombin tonë dhe Republikën e Kosovës me aspiratën për të qenë pjesë e saj. Mbamendja historike, na kthen te mbretëresha Teutë, vajzat e Kastriotit, Nora dhe vajzat e Kelmendit, Shote Galica, Nëna Salë e Prekazit, Xhevë Lladrovci, Hyrë Emini dhe mijëra gra që u vunë në shërbim të atdheut. Lidhja juaj emocionale me Kosovën, në veçanti me heroinat e Drenicës, na motivuan t’ju shpallim Qytetare nderi e Drenasit dhe Drenicës së Komandantit tonë legjendar Adem Jashari. Falënderoj Asamblenë komunale për votimin njëzëri që ju të jeni Qytetare Nderi”, tha kryetari Lladrovci dhe i dhuroi pllakatën e Qytetare Nderi e Komunës, ministres Kodheli.
Pas shpalljes së qytetare nderi, ministrja Kodheli iu drejtua të pranishmëve me një fjalë rasti. “Jam e privilegjuar dhe shumë e nderuar që gjendem sot në Komunën tuaj, ne zemrën e rezistencës shqiptare dhe që behëm qytetare e kësaj toke të shenjtë. Ju falënderoj pafundësisht të gjithë ju deputetë që me keni votuar, veçanërisht kryetarin e kësaj Komune, Ramiz Lladrovci. Kjo tokë, sa është e shenjtë, as është edhe hyjnore, ngase nga kjo tokë kanë dalë shumë burra e gra që para jetës së tyre, kanë venë sakrificën sublime për lirinë e vendit. Këtë nderim që më bëni ju sot, i dedikoj babait tim të ndjerë që punoj fort rreth dyzet vite më parë për pavarësinë e kësaj toke, dhe brezave të rinj”, tha ministrja Kodheli.
Ajo pas përfundimit të seancës solemne, ka bërë homazhe pranë varrit të dëshmorëve Fehmi e Xhevë Lladrovci në Gllanasellë të Drenasit ndërsa në shtëpinë e kryetarit të Komunës është shtruar edhe një drek për të respektuar qytetaren me të re të Komunës së Drenasit.
Ajo me këtë rast tha se këtë nderim i kushton babait të saj të ndjerë që kishte punuar fort për lirinë dhe pavarësinë e këtij vendi.
Para seancës solemne, kryetari Lladrovci me bashkëpunëtorë ka pritur në sallën e mbledhjeve Ministren Kodheli dhe delegacionin e saj, ku Ministrja Kodheli i dhuroi shpatën 150-vjeçare, kryetarit Lladrovci.