Minatori i grevës së 1989-ës: Gjendja e minatorëve s’ka qenë kurrë më e vështirë – Januzi: Do t’i përdorim të gjitha mjetet ligjore kundër suspendimit

Mitrovicë | 31 Tet 2023 | 11:04 | Nga Valmire Abdullahu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të “Trepçës”, Ibrahim Januzi, ka bërë të ditur për Ekonomia Online, se vendimin e Menaxhmentit për suspendimin e tij nga puna e ka parë në hyrje të objekti dhe nuk është njoftuar zyrtarisht. Për të kundërshtuar vendimin, ai tha se do t’i përdorin të gjitha mjetet ligjore.

Januzi dhe përfaqësues të tjerë të Sindikatës thanë të martën, në ditën e tetë të grevës, se gjendja e minatorëve nuk ka qenë kurrë më e rëndë – madje as në vitin 1989, kur minatorët e Trepçës u ngujuan për tetë ditë, me kërkesa për dorëheqjen e udhëheqësve komunistë, që konsiderohet si momenti i fillimit të zhbërjes së Jugosllavisë. Ata i bëjnë thirrje Qeverisë Kurti që të bëjë zgjidhje sa më shpejt, sa nuk ka ndodhur më e keqja.  

“Këtë vendim e kemi parë në hyrje të Minierës, konkretisht te roja fizike. Neve nuk na është dërguar ky vendim zyrtarisht, sepse në bazë të rregullave ligjore duhet të dërgohet zyrtarisht, mirëpo këtë hap nuk e kanë marrë vetëm e kanë publikuar”, tha Januzi.

“Hapat tonë do t’i shqyrtojmë me kohë do t’i përdorim mjetet ligjore të mundshme në të drejtën tonë sepse ne jemi sindikatë jemi organ i pavarur në një formë ne kemi qenë ndërmjetësues. Kemi qenë vetëm ndërmjetësues dhe komunikues, ndërlidhës me minatorët në minierë dhe të gjithë ata që kanë pasur vullnetin për me dialogu me minatorët  e për të cilën nuk ka ndodhur nuk ka pasur dialog të mirëfilltë na kanë sjellë në një situatë të rëndë”.

“Gjendja e minatorëve është jashtëzakonisht shumë e rëndë, jeta e tyre është në rrezik. Unë iu bëj thirrje, apel, që duhet të reflektojmë. Duhet bërë një zgjidhje t’i nxjerrim ata njerëz nga aty”.

Ai u shpreh i bindur se greva do të vazhdojë dhe se janë të palëkundura deri në plotësimin e kërkesave të tyre, raporton EO.

“Minatorët janë të palëkundur në kërkesat e tyre dhe shpresojmë të gjejmë një zgjidhje t’i nxjerrim sa më parë ata nga atje. Gjendja e tyre është rënduar”.

Gani Osmani, anëtar i Kryesisë së Sindikatës, i cili punon në “Trepçë” qe 42 vjet, tha se përjashtimi nga puna është bërë për shkak se e kanë thënë vetëm të vërtetën.

Osmani konfirmon tregoi se gjendja e minatorëve nuk është e mirë, por thekson se nuk do të tërhiqen nga kërkesat.

“Jam minator që 42 vjet edhe anëtar i Kryesisë së Sindikatës. Ka ardhur urdhëresa prej kryeshefit me 27 të këtij muaji ku janë suspenduar 5 persona. Ky na ka përjashtuar vetëm për arsye se ia kemi thënë të gjitha të këqijat që i ka bërë edhe ato janë të gjitha të vërteta; krejt shkeljet që i ka bërë dhe këto pakënaqësitë  ia kemi thënë në sy. E këtij me ia thënë këto të vërteta çka janë, ky të përjashton nga puna”.

“Janë këto rrugët ligjore. Ne e dimë që plotësisht kemi të drejtë, ne nuk hyjmë këtu me i rrezikuar këta rojtarë, këta shok tanë, tash me hy unë ndoshta edhe me dhunë ose me hi rrugëve të tjera”.

“Gjendja e minatorëve është katastrofë, kurrë gjendje ma të vështirë nuk kanë pasur. Unë jam pjesëmarrës edhe i grevës të vitit 1989, veç kurrë veten ma keq se tash nuk e kam ndjerë. Kam shikuar njerëz që dalin të alivanosur, dalin ka 6-7 persona. 230 persona deri para dy ditë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, 22 prej tyre kanë përfunduar në spital. Dalin ka pesë ose gjashtë të alivanosur nga miniera, e ky thotë jam drejtor  i ‘Trepçës’. Nuk e di drejtor i kujt është ky, çfarë ndjenjash njerëzore ka?! Kërkesat janë të njëjta”.

Menaxhmenti i Trepçës ka marrë vendim që t’i suspendojë nga puna kryetarin e sindikatës, Ibrahim Jonuzin, nënkryetarin e sindikatës, dy anëtarë dhe një minator.

“Punonjësit Ibrahim Jonuzi, Fevzi Ademi, Destan Kerleshi, Gani Osmani, Eset Meha, punëtorë të Trepça Sh. A. largohen përkohësisht nga puna, duke filluar nga data 27.10.2023”, thuhet në vendimin e menaxhementit, të vendosur në hyrje.

LEXO EDHE:

Të ngjashme