Ministri i Financave Bedri Hamza ka pritur sot në takim të ngarkuarën me Punë në Misionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Colleen Hyland, ku diskutuan për bashkëpunimin institucional, me fokus të veçantë në fushën e financave.
Ministri Bedri Hamza duke i cilësuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës si partner strategjikë të Kosovës, ai falënderoi të ngarkuarën me Punë në Misionin e SHBA-së në Kosovë Hyland, për ndihmën dhe kontributin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka dhënë dhe vazhdojnë të japin për institucionet e Kosovës, sidomos për Ministrinë e Financave.
Ministri Hamza gjithashtu e njoftoi znj. Hyland, për të arriturat dhe sfidat e Ministrisë së Financave, në veçanti për procesin e Buxhetit të shtetit për vitin 2019, si dhe për zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend.
Ndërsa, e ngarkuara me Punë në Misionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Colleen Hyland, përgëzoi Ministrin Bedri Hamza për angazhimin e tij dhe të Ministrisë së Financave për procesin e Buxhetit për vitin 2019. Ajo gjithashtu shprehi gatishmërinë e saj dhe të shtetit amerikan për të rritur bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve, me qëllim të avancimit të Kosovës në menaxhimin e financave publike.