Ministri Bytyqi ka pritur në takim përfaqësuesit e SBAShK-ut

Prishtinë | 02 Pri 2019 | 16:22 | Nga Ekonomia Online

Duke përcjellë nga afër dhe me shqetësim situatën e krijuar dhe vështirësitë e hasura në procesin e kompensimit të orëve të humbura gjatë grevës, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e SBAShK-ut.

Në kuadër të angazhimeve dhe përgjegjësive institucionale, ministri Bytyqi ka shprehur edhe një herë gatishmërinë e MAShT-it për bashkëpunim me SBAShK-un dhe gjithë akterët e tjerë relevantë, duke ditur ndjeshmërinë që kanë proceset në sistemin tonë arsimor.

Fillimisht, Ministri ka rikonfirmuar se vendimi për zëvendësimin e ditëve të humbura në procesin mësimor, është vendim ligjor, i domosdoshëm dhe në shërbim të nxënësve. Ai ka theksuar se ky vendim është rezultat i konsultave paraprake me drejtorë të Drejtorive Komunale të Arsimit, Këshillin e Prindërve dhe është bazuar në propozimet e tyre. Kundërshtimet e SBAShK-ut për moszbatimin e këtij vendimi e kanë vështirësuar implementimin e tij. Ndërkohë, ka qenë dhe mbetet përgjegjësi e DKA-ve që të angazhohen për zbatimin e këtij vendimi në gjithë Kosovën. 

Përfaqësuesit e SBASHK, në këtë takim, kanë shprehur një kërkesë të re, e cila ka të bëjë me rritjen e koeficientit për paga për mësimdhënësit e klasave nga 1 deri në 5, respektivisht të zbatohet versioni fillestar për koeficientët për paga sipas draftligjit para se të arrhihej marrëveshja. Ky kusht, është vendosur nga SBAShK si kompromis për të zëvendësuar 5 ditë në fund të vitit shkollor. 

Me këtë rast, ministri Bytyqi i ka informuar përfaqësuesit e SBAShK-ut se, paraprakisht ka pranuar një peticion nga mësimdhënësit e klasëve nga 1 deri në 5, të cilët kanë shprehur pakënaqësinë e tyre me koeficientin për paga dhe i ka siguruar ata për angazhim të fuqishëm në përmbushjen e kërkesave të tyre, duke ditur edhe faktin se nuk është drejtpërdrejtë në kompetencat MAShT për të bërë një ndryshim të tillë.

Ministri Bytyqi ka theksuar faktin se, çështja e kompenzimit të orëve dhe rritja e koeficientëve janë dy procese të ndara, pasi kompensimi i orëve kërkon reagim të menjëhershëm. Gjithashtu, ai ka shprehur gatishmërinë e plotë për t’u angazhuar bashkërisht në realizimin e kërkesave të mësimdhënësve të kasave nga 1 deri në 5, duke përmbushur pjesën e angazhimeve që na takojnë, për faktin se ndryshime të tilla të ligjit janë jashtë kompetencave të MAShT dhe kërkojnë angazhim të shumë faktorëve institucionalë.

Ministri, poashtu ka theksuar faktin se, aktualisht Ligji nuk është në fuqi dhe ndryshimet tani për tani janë të pamundura, por tha se angazhimet në këtë drejtim do të mbesin të vazhdueshme.

Në fund, ministri Bytyqi ka kërkuar nga SBAShK-u për të reflektuar pozitivisht dhe të bëjë thirrje tek të gjithë mësimdhënësit që të angazhohen për zëvendësimin e të gjitha orëve të humbura në procesin mësimor. “Vlerësoj se është momenti i fundit për të reflektuar të gjitha palët dhe së bashku të ndërmarrim veprime që janë në interes të procesit mësimor dhe rritjes së cilësisë në arsim”, ka thënë ministri Bytyqi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme