Ministri Bytyqi përuroi kabinetin në shkollën “Pjetër Bogdani” në Ferizaj

Ferizaj | 18 Sht 2017 | 13:36 | Nga

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi dhe ambasadori i Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler kanë bërë përurimin e kabinetit në shkollën e arsimit dhe aftësimit profesional “Pjetër Bogdani” në Ferizaj, në të cilën u theksua rëndësia e zhvillimit të këtij sektori të arsimit, sa i përket zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Ministri Bytyqi, me këtë rast ka thënë se, arsimi është segmenti kryesor për mirëqenie dhe zhvillim ekonomik, duke ditur se Kosova ka popullsinë më të re në Evropë.

Ndër të tjera, ministri Bytyqi tha se, përmes investimeve të kësaj natyre i jepet shtytje reformimit të arsimit, në veçanti arsimit profesional, për të cilin Kosova ka nevojë të domosdoshme.

“Projekti i Harmonizimit të arsimit me kërkesat e tregut të punës, i financuar nga Komisioni Evropian dhe i bashkëfinancuar dhe implementuar nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim, i ka dhënë një shtytje të rëndësishme arsimit, sidomos arsimit dhe aftësimit profesional, segment për zhvillimin dhe reformimin e të cilit kemi shumë nevojë”, është shprehur Ministri.

Ministri Bytyqi uroi që ky kabinet i cili u promovua si donacion nga projekti ALLED, të shfrytëzohet maksimalisht nga nxënësit dhe mësimdhënësit.

Ministri Bytyqi ka falënderuar Bashkimin Evropian, Ambasadën e Austrisë në Kosovë, qeverinë gjermane, norvegjeze, Luksemburgun dhe partnerët tjerë të cilët kanë kontribuar në këtë projekt të madh për nxënësit dhe pedagogët.

Ndryshe, përurimi i kabinetit në shkollën “Pjetër Bogdani” në Ferizaj është financuar nga Komisioni Evropian dhe Qeveria e Austrisë. Gjatë ditës së sotme do të bëhet edhe përurimi i kabinetit të arsimit dhe aftësimit profesional “Jonuz Zejnullahu” në Viti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme